Ahmeti e ngarkon buxhetin me paga
Prishtinë, 20 shkurt - Administrata e Komunës së Prishtinës nën menaxhimin e kryetarit Shpend Ahmeti, ka filluar ta ngarkojë buxhetin e komunës në sektorin e pagave. Disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë janë angazhuar në Drejtorinë e Inspektoratit.
Pesë zyrtarë të Drejtorisë së Infrastrukturës që kanë aktakuzë, janë pezulluar nga puna, por e marrin nga një gjysmë page. Drejtoria e Infrastrukturës është thuajse në kolaps në mungesë të stafit, por komuna po mendon të shpallë konkurs për vendet e lëna bosh nga zyrtarët e pezulluar.
Ndërkaq, një çerdhe në Mat dhe një në Hajvali janë ndërtuar viteve të kaluara, por ish-menaxhmenti i Komunës nuk ishte lejuar të hapej shkaku i stafit të limituar.
Ministria e Administratës, konsideron se me hapjen e konkursit të ri për vende të punës nuk është shkelur ligji. E, autoritete të ish-menaxhmentit të kaluar të Prishtinës, pak sa befasohen me lejimin e Qeverisë për rritjen e stafit civil. Për më tepër ata konsiderojnë që Komuna nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit po favorizohet në shumë planë nga niveli qendror, shkruan Tribuna.
Janë nisur procedurat për shpalljen e konkursit për 4 vende të punës, tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, duke aluduar në Drejtorinë e Infrastrukturës. Kjo drejtori ka më së paku staf nga të gjitha drejtoritë në Komunë. Më pak se 20 punëtorë. Evidente është së mbizotëron kualifikimi i stafit me shkollë të mesme.
/Tribuna/