AGK diskuton për çështjet e trashëgimisë së pronës tek gratë
Prishtinë, 14 shtator - Aleanca e Gruas se Kosovës(AGK) sot organizoi një tryeze te diskutimeve me temën - Gratë/Vajzat dhe çështjet e Trashëgimisë së Pronës Sfidat dhe Problemet!
Aktualisht në Kosovë ka një numër të madh të rasteve të mospërfshirjes së grave/vajzave në trashëgiminë e pasurisë familjare. Përfaqësues që merren me këto çështje, kërkojnë veprim të institucioneve të Kosovës si dhe angazhim në vetëdijesimin e popullatës, se e drejta e gruas në pronë është e patjetërsueshme.
Kryetari i AAK-se z.Ramush Haradinaj ne fjalën hyrëse nder te tjera shtoi se : Shoqëria kosovare, duhet të ketë një vetëdijesim më të lartë mbi atë se gruaja/vajza është pjesë e rëndësishme e historisë së ndërtimit të shtetit dhe pjesë e pandashme e kësaj shoqërie, andaj edhe meriton shumë e më shumë se sa që është bërë deri më tani. Gjeneratat e reja kosovare kanë filluar të kuptojnë se mospërfshirja e femrave në ndarjen e pasurisë përpos që bie ndesh me ligjin, është edhe një padrejtësi morale.
Kryetarja e AGK-se znj. Magbule Shkodra theksoi se iniciativa e AGK buron nga fakti se vlerësojmë se organizimi i debateve,tryezave te këtilla ndihmojnë ne sjelljen e ideve te reja ne mënyrë qe çështja e trashëgimisë se pronave nga ana e grave/vajzave te fillon te trajtohet me seriozitet nga shoqëria dhe institucionet përgjegjëse ne përgjithësi.
Rekomandimet e dala nga tryeza pas pranimit të komenteve nga audienca dhe paneli në përbërje te Valbona Salihu- Norma, Luljeta Demolli- QKSGj, Suzana Gashi- Omduspersoni dhe Anton Nrecaj- CLARD, do te publikohen në ditët ne vijim.