Agjentët e AKI-së me 2500 euro paga
Prishtinë, 16 tetor - Agjentët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AKI) marrin mesatarisht nga 2500 euro në muaj në emër të pagave dhe mëditjeve.
Pagat e tilla i bëjnë agjentët e Bashkim Smakiqit, nëpunësit civil më të paguar në vend, të cilët madje i tejkalojnë edhe pagat e zyrtarëve më të lartë shtetërorë.
Pavarësisht se pagat e agjentëve janë mbajtur sekret deri më tani nga institucionet kompetente, ose është përfolur se janë dukshëm më të ulëta, bazuar në buxhetin e vitit 2012 të përgatitur nga Ministria e Financave dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës për paga dhe mëditje këtë vit i ka në dispozicion 2.7 milionë euro, përderisa numri i përgjithshëm i të punësuarve në këtë institucion është 90.
Në bazë të një kalkulimi të thjeshtë del se paga mesatare mujore, bashkë me mëditjet, në AKI është 2500 euro, shifër kjo shumëfish me e lartë se në deklarimet zyrtare të pasurisë nga krerët e këtij institucioni.
Në deklarimin e pasurisë për këtë vit në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, vetëm pagë mujore, pa mëditje, ka deklaruar 1270 euro, zëvendësi i Smakajt, Latif Merovci, ka deklaruar pagë mujore 1180 euro dhe Agron Selimaj, inspektor i përgjithshëm në AKI, ka deklaruar 1180 euro pagë mujore.
Përpos kategorisë së pagave dhe mëditjeve, në buxhetin e këtij viti AKI-së i janë lejuar edhe 890 mijë euro për mallra dhe shërbime, 650 mijë euro për subvencione dhe transfere, si dhe 1.3 milionë euro për investime kapitale.
/zeri/