Agjencia Kadastrale në konferencën ndërkombëtare të Gjeodetëve
Sofje, 18 maj - Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nën udhëheqjen e Kryeshefit të AKK-së Prof. Dr. Murat Meha dhe në përbërje udhëheqësi i zyrës për koordinimin e projekteve Muzafer Çaka, ekspertja për kadastër Ajshe Gashi dhe eksperti ligjorë Xhevdet Shala, janë duke qëndruar në Sofje të Bullgarisë ku është duke u mbajtur Java e Punës e Federatës Ndërkombëtare të Gjeodetëve me titull pune Nga urtësia e viteve kah sfidat e botës moderne.
Gjatë javës së punës do të shkëmbehen informacione dhe përvoja mbi zhvillimet e fundit në botën e gjeodezisë dhe kadastrës, planifikimit hapësinorë dhe administrimit të tokës, si dhe do të prezantohen punime profesionale nga ekspertët me renome botërore, përfshi edhe ato të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në këtë konference do të paraqiten me punimin profesional me titull Implementimi i infrastrukturës së të dhënave hapësinore në Kosovën moderne përmes të cilit në detaje do të qartësohet metodologjia e grumbullimit, mirëmbajtjes dhe shpërndarjes së të dhënave gjeohapësinore ndërmjet institucioneve publike dhe private.
Pos prezentimit Kryeshefi i AKK-së Meha do të kryesojë edhe sesionin e Konferencës me titull Nga kadastra kah aplikacionet shumë-qëllimore.
Po ashtu një prezantim me titull Aplikacionet mobile të bazuara në platformën Android për pikat e rrjetit referent të rendit të III në qytetin e Prishtinës do të mbajnë edhe përfaqësuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të Gjeodetëve Shqiptarë Karl Gega, Bashkim Idrizi, Ismail Kabashi dhe Atdhe Buzhala. Konferenca njëjavore përfundon me datën 21 maj, ndërsa në të marrin pjesë qindra delegatë nga të gjitha shtetet e botës.
Republika e Kosovës është anëtare e përhershme dhe e plotëfuqishme në Federatën Ndërkombëtare të Gjeodetëve që nga viti 2005, ku është edhe shumë aktive në prezantimin e projekteve dhe produkteve nga fusha e kadastër, gjeodezisë dhe administrimit të tokës.