Agjencia Austriake për Zhvillim sjell investime të reja në Kosovë
Prishtinë, 4 maj - Një projekt i ri investues është duke u realizuar me sukses në Kosovë me përkrahjen e Agjencisë Austriake per Zhvillim (ADA) dhe Zyrës në Vjenë të Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve (APIK), që udhëhiqet nga ECIKS.
Kompania gjermane MC mobile communication GmbH nga Frankfurti ka investuar në Kosovë duke hapur një Call Center në Prishtinë. Qendra MC Communication në Prishtinë ofron shërbime klientëve të disa kompanive gjermane me këshilla e asistencë përmes telefonit dhe internetit. Kompania gjermane ka hapur fillimisht 60 vende të reja pune në Kosovë dhe shpejt ka rritur kapacitetet duke krijuar deri më tani 300 vende të reja pune.
Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) ka përkrahur financiarisht projektin duke marrë përsipër financimin e një pjese të konsiderueshme të tij, përderisa Zyra e APIK-ut në Vjenë ka asistuar kompaninë gjermane në përgatitjen e projektit përmes ofrimit të shërbimeve të konsulencës.
Përfaqësues të kompanisë gjermane kanë thënë se janë shumë të kënaqur me punën e kosovarëve e posaçërisht me njohuritë e tyre të gjuhës gjermane, që është kusht për punësim në këtë kompani. Kompania po ashtu bashkëpunon ngushtë me Fakultetin e Gjermanistikës pranë Universitetit të Prishtinës, në rekrutimin dhe trajnimin e të punësuarve.
Zyra e APIK-ut në Vjenë, që edhe vetë financohet nga ADA, ka asistuar deri më tash 16 investime të huaja në Kosovë. Ky është investimi i tretë në Kosovë që është bashkëfinancuar nga ADA, që nga hapja e kësaj zyre në nëntor të vitit 2006. Zyra e APIK-ut në Vjenë menaxhohet nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS).