Agani: Objektivat për Obiliqin, arrihen me zbatimin e ligjit
Prishtinë, 14 mars - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, kryesuar nga Duda Balje, kryetare e komisionit, ka raportuar ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) Ferid Agani.
Me këtë rast, ministri Agani, fillimisht njoftoi se ministria është në fazën finale të përpilimit të një rregulloreje të brendshme, sipas së cilës parashihet një organizim dhe efikasitet edhe më i madh në dikasterët e saj.
Më pas, ministri Agani, paraqiti raportin financiar për vitin e kaluar. Lidhur me këtë, ai njoftoi se buxheti i vitit të kaluar kishte shumën më se 38 milionë euro, ndërkaq, është realizuar në masën deri 98.48%.
Raportoi po ashtu edhe për planin legjislativ të Mistrisë, sipas të cilit ishte paraparë procedimi i 6 ligjeve në Kuvend.
Shqetësimi që sjellin ujërat e zeza dhe përpjekja e mistrisë për eliminimin e efekteve negative që sjellin ato, ishte çështje tjetër për të cilën foli në vijim të raportimit, ministri Agani. Për të zgjedhur këtë problematikë, ai njoftoi se ministria ka filluar ndërtimin e disa impianteve.
Duke folur për ujin e pijshëm, ndërkaq, sipas ministrit Agani, gjendja është e nivelit të kënaqshëm, dhe njoftoi në vijim se uji i cili përdoret për pije, i nënshtrohet kontrollit rigoroz.
Raportoi më pas edhe për procesin e shpronësimit, i cili sipas ministrit Agani, vazhdon të mbetet sfidë edhe në të ardhmen, sepse, obligimet që sjellë shpronësimi, janë gjithherë më të mëdha se sa mundësitë që ka ministria. Ai më këtë rast vuri në pah se obligimet për shpronësime, të cilat në fund të vitit të kaluar, arrijnë në 145 milionë e 571 mijë euro.
Në vijim, ministri raportoi edhe për hapat që është duke ndërmarrë ministria lidhur me evitimin e vërshimeve, të cilat janë duke u shkaktuar veçanërisht pas reshjeve atmosferike. Sa i përket kësaj çështjeje, ai njoftoi se do të ndërmerren masa adekuate për zgjerimin e shtratit të lumenjve anembanë vendit.
Po ashtu, ai foli edhe për Projektligjin për Obiliqin. Lidhur me këtë, ministri Agani, vlerësoi se shumë nga objektivat e këtij projektligji arrihen me zbatimin e legjislacionit në fuqi.
Anëtarët e komisionit, ngritën shqetësime të shumta dhe shprehën mospajtime lidhur me disa pika të raportit të ministrit Agani.
Komisioni vlerësoi se ministria nuk e ka përmbushur agjendën e paraparë legjislative, ndërkaq, deputeti Shaip Muja, ngriti edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.