Agani: Ligji për mbrojtjen e mjedisit është gati
Prishtinë, 23 prill - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka thënë se korniza ligjore për mbrojtjen e mjedisit është pothuajse e kompletuar, porse zbatimi i legjislacionit mbetet sfidë.
Kemi ngecje dhe vështirësi... Por, kemi hartuar disa dokumente strategjike të bazuara në hulumtime të mirëfillta, strategji për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, menaxhimit të mbeturinave, strategjinë e ujërave, dhe të tjera. Këto strategji lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik, tha Agani.
Ai i bëri komentet në konferencën ndërkombëtare për energji të qëndrueshme, të organizuar në Prishtinë nga Konsorciumi Kosovar i Shoqёrisё Civile pёr Zhvillim tё Qёndrueshёm (KOSID).
Do të bëj çmos që të inkorporoj politikat e gjelbra, veçanërisht në kontestin e ndryshimeve klimatike që po ndodhin, tha Agani, në fjalën e tij.
E shoh sfidë të madhe dhe nuk jam optimist i madh që do të arrijmë që për një kohë të shkurtër ti zgjedhim të gjitha këto probleme, shtoi ministri Agani.
Ministria e jonë e ka identifikuar si të nevojshme hartimin e strategjisë për energjinë në ndërtesa, dhe të gjitha këto strategji janë në përputhje me objektivat e BE-së. Më 15 prill është miratuat koncept-dokumenti për hartimin e këtij ligji. Pas aprovimit të draft-ligjit, ne do të organizojmë takime dhe debate publike për të shqyrtuar të gjitha aspektet e këtij ligji për efiçiencën e energjisë, tha ministri i Mjedisit.