Aftësimi profesional, përgjigja më e mirë ndaj papunësisë
Prishtinë, 4 shkurt - Instituti për Politika Zhvillimore, (INDEP), në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, organizuan tryezën me temë: Aftësimi Profesional në Kosovë, Specifikat, Marrëdhëniet dhe Problemet.
Në këtë tryezë morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, akter institucional, përfaqësues të shoqërisë civile, student dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar. Në tryezë u prezantua edhe studimi i INDEP me të njëjtën temë.
Në hapje të tryezës, Burim Ejupi, Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore, theksoi rëndësinë që INDEP i ka kushtuar fushës së aftësimit profesional si potencial për zhvillim ekonomik.
E kemi vërejtur që kapacitetet ekzistuese për trajnime profesionale ishin shumë më të mëdha sesa numri i praktikantëve që po përfundonin një trajnim dhe kjo vetvetiu tregon që ekziston një problem në funksionimin e sistemit, tha Ejupi.
Më tej ai foli për rëndësinë që ka diskutimi rreth kësaj teme dhe përfshirja e sa më shumë akterëve në diskutim.
Gent Ahmetaj, hulumtues në INDEP, prezantoi punimin Aftësimi Profesional në Kosovë, Specifikat, Marrëdhëniet dhe Problemet dhe në prezantimin e tij tha që ekziston infrastruktura përcjellëse për aftësim profesional, përfshirë objektet fizike për të realizuar aftësim profesional.
Studimi synon të vendosë bazat e të kuptuarit më të mirë të aftësimit profesional në Kosovë, veçanërisht sa i përket perceptimit nga praktikantët dhe bizneset.
Pas anketimit të 259 bizneseve dhe 227 praktikantëve, shqyrtimit të më se 50 dokumenteve akademike dhe realizimit të 12 intervistave, INDEP shpalosë rekomandimet kryesore përmes të cilave mëtohet të adresohen problemet e evidentuara gjatë hulumtimit.
Akreditimi i profileve të Qendrave të Aftësimit Profesional, informimi përmes një strategjie të marketingut, buxhetimi më i drejtë dhe një sistem fleksibil i azhurimit të profileve janë masat kryesore që duhen ndërmarrë- tha Ahmetaj.
Në tryezë mori pjesë edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi. Ai shprehu bindjen e tij se aftësimi profesional është përgjigja më e mirë ndaj problemit të papunësisë.
Në baza ditore ne marrim kërkesa nga bizneset për forcë punëtore të kualifikuar dhe fatkeqësisht nuk jemi në gjendje tu ofrojmë këta punëtor - tha Abrashi.
Ai gjithashtu potencoi nevojën për më shumë bashkëpunim ndër-institucional në mes të Ministrive dhe për domosdoshmërinë e ekzistimit të një sistemi fleksibil që i përgjigjet më shpejtë nevojave të tregut dhe të bizneseve.
Në fjalën e tij, Ministri gjithashtu falënderoi INDEP-in për punën e bërë. Rekomandimet e marra nga ky studim do të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave në të ardhmen, tha Ministri Abrashi.
Ministri gjithashtu theksoi nevojën për informim më të madh të qytetarëve për aftësimin profesional.
Ai theksoi që në sistemin e regjistrimit të punëkërkuesve, mbi 70% e tyre nuk kanë një profesion, gjë që e bënë shumë shqetësues faktin që forca jonë punëtore nuk ka kualifikimin e duhur të kërkuar nga tregu.
Me një fjalë rasti tryezës iu drejtua edhe znj. LouiseTaylor, Zëvendës-ambasadore e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Ajo theksoi rëndësinë që ka aftësimi profesional në adresimin e problemit të papunësisë dhe problemit të fuqisë punëtore të pakualifikuar.
Në veçanti, janë dy çështje që kërkojnë adresim të menjëhershëm, e para ka të bëjë me bashkëpunimin në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si dy institucione që duhet të ndajnë qëllimin e njëjtë dhe e dyta ka të bëjë me krijimin e një mekanizmi për koordinuar përpjekjet dhe bashkëpunimin në mes të punëdhënësve, punëkërkuesve, QAP-ve dhe akterëve të tjerë, theksoi znj. Taylor.
Tryeza dhe punimi i prezantuar nga INDEP zgjoi debat cilësor nga të pranishmit të cilët identifikuan një sërë problemesh dhe sfidash në këtë fushë dhe nga perspektiva të ndryshme.
Përfaqësues nga biznesi adresuan problemin e mungesës së fuqisë punëtore dhe i kërkuan Ministrit që për projekte të caktuara të ketë aftësim profesional të menjëhershëm që do ti përgjigjej nevojave të ekonomisë.
Aftësimi profesional, sipas të pranishmëve nga sektori i biznesit, duhet të jetë po aq prioritet sa investimet e huaja.
Të pranishmit po ashtu theksuan nevojën për më shumë masa monitoruese ndaj punës së QAP-ve. U kërkua po ashtu që sistemi të krijojë incentiva për drejtorët që performojnë më mirë dhe që janë më kreativ dhe ndëshkime për ata që dështojnë të kryejnë punën e tyre.
Diskutimit i kontribuuan edhe studentë nga universitete publike dhe private. Ata shprehën interesim që të jenë pjesë e sistemit të aftësimit profesional por theksuan rëndësinë që të punohet më shumë në drejtim të informimit dhe eliminimit të paragjykimeve ndaj kësaj forme të aftësimit.
Tryeza u organizua si pjesë e projektit Promovimi i aftësimit profesional si mjet efektiv për të luftuar papunësinë në Kosovë përmes përmirësimit të bashkëpunimit ndër-institucional, i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë.