Afati për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve deri më 31 mars
Prishtinë, 26 mars - Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka përfunduar sot shpërndarjen e formularëve për deklarimin e pasurisë në të gjitha institucionet, ku të gjithë zyrtarë të e lartë publikë duhet të deklarojnë pasurinë e tyre. Afati i fundit për deklarimin e pasurisë së tyre është 31 marsi.
Zyrtarë të AKK thanë për emisionin LEX të Radio Kosovës (RTK) se gjatë dy muajve të ardhshme do të publikohet pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë. Për zyrtarët që mund të fshehin pasurinë e tyre do të iniciohen hetimet të veçanta, thotë kryeprokurori Ismet Kabashi.
Zyrtarët e lartë publikë kanë afat që deri të mërkurën, pra më 31 mars të deklarojnë pasurinë e tyre. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit sot ka përfunduar shpërndarjen e formularëve në të gjitha institucionet në Kosovë. Zyrtari i kësaj agjencie Jetullah Aliu tha se javën e ardhshme do të dilet me një raport të saktë se sa zyrtarë publikë duhet të deklarojnë pasurinë e tyre. Ai tha se do të bëhet verifikimi i përmbajtjeve të të gjithë formularëve, duke i krahasuar ata më deklarimin e mëhershëm të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë. Për verifikimin më të saktë të të dhënave, Agjencia do të punojë edhe me institucionet tjera përkatëse, thotë Jetullah Aliu.
Zakonisht duke pasur parasysh se mund të ketë edhe deklarime të rrejshme, ne kemi krijuar kontakte me të gjitha institucionet, vlen të veçohet me administratën tatimore, me drejtoritë nëpër komuna sidomos kur bëhet fjalë për çështjen e pronave, tha Aliu.
Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, i obligon zyrtarët publikë në Kosovë që të respektojnë afatet ligjore për deklarimin e pasurisë së tyre. Në të kundërtën do të ketë edhe masa ndëshkimore. Ndërsa në qoftë se vërtetohet se ndonjë zyrtar mund të fshehë pasuritë e tij, atëherë do të iniciohen hetimet të veçanta thotë kryeprokurori Ismet Kabashi.
Nëse AKK paraqet ndonjë çështje për të cilën dyshon se mund të përmbajë edhe vepër penale, prokuroria do të studiojë atë dhe do të ndërmarrë masat dhe veprimet për të cilat është e autorizuar me ligj dhe varësisht nga çështja do të fillojë procedurën e hetimit ose do të njoftojë agjencinë që nuk ka filluar procedura, tha Kabashi.
Zbatimin e ligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë do ta mbikëqyrë Agjencia kosovare kundër korrupsionit. Ndërsa tash e tutje pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë do të publikohet në faqen e internetit të Agjencisë Kundër Korrupsionit. Zyrtarë të agjencisë thanë se kjo do të bëhet e mundur brenda dy muajsh.
/rtk/