06 Nëntor 2024

Afaristët shqiptaro-amerikanë me kërkesa dhe projekte konkrete

Prishtinë, 7 shkurt - Disa nga afaristët më të suksesshëm shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në qytetin e New Yorkut dhe në rrethinën e tij, u mblodhën për të diskutuar me zv. kryeministrin e Kosovës / ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe me ministrin e Shtetit për Diasporën të Shqipërisë, Pandeli Majko, projekte dhe kërkesa konkrete që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Në mesin e afaristëve, si Vera Mjeku, Harry Bajraktari, Richard Lukaj, Bruno Selimaj, Arben Krasniqi, Besim Malota,  ishte edhe asamblisti i vetëm shqiptar i Asamblesë së qytetit të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, me të cilin u diskutua edhe për thellimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe komunitetit, si dhe projekte konkrete  për ruajtjen e avancimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar.

Kosova ka shumë produkte me cilësi të lartë, të cilat eksportohen, mirëpo ajo që mungon është promovimi i tyre i mirëfilltë, u tha në takim.

Në këtë kontekst, Harry Bajraktari, afarist i shquar  në Nju-Jork, vlerësoi lart vizitën e dy ministrave, duke shprehur nevojën, por edhe mbështetjen për hapjen e një qendre kulturore në Nju-Jork, me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare, por edhe në masë të madhe të potencialeve për investime dhe eksport të produkteve në ShBA.

“Kosova është duke e përmirësuar në masë të madhe klimën e përgjithshme për investime. Lajm i mirë është nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri, në vlerë  1.2 miliardë dollarë, nga kompania amerikane, që tregon qartë për mundësitë dhe sigurinë e investimeve strategjike nga kompani serioze në Kosovë”, tha ministri Gashi.

Në këtë takim, po ashtu, u dakordua në parim një vizitë e afaristëve nga ShBA-të në Kosovë, për t’u njohur për së afërmi me mundësitë që ofrohen për të investuar në Kosovë, në veçanti në fushën e minierave, turizmit dhe të energjisë.

Ministri Gashi dhe ministri Majko takuan edhe rrjetin e profesionistëve shqiptarë në Nju-Jork “APEN”, me të cilët diskutuan për organizimin e rrjeteve të profesionistëve dhe të  studentëve në Amerikë, shkëmbimin e përvojave dhe sjelljen e ekspertizës në Kosovë dhe Shqipëri. ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)