08 Nëntor 2024

Afaristët nga diaspora interesohen për projekte në Mitrovicë

Mitrovicë, 5 janar - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur në kabinetin e tij një delegacion Rrjetit i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, i përbërë nga afaristët Mustafë Abazi, nga Berlini i Gjermanisë, Afrim Bunjaku, nga Suedia i cili ka investuar në Kosovë, Gani Fejzaj,  nga Dallasi i SHBA-ve, Enver Idrizi, nga Dyseldorfi i Gjermanisë, Murat Musliu, nga Berlini i Gjermanisë dhe Naim Dedushaj, drejtor për investime të diasporës.

Kryetari Bahtiri, pasi i falënderoi për interesimin e tyre për gjendjen në Mitrovicë dhe për të investuar këtu, i njoftoj afaristët nga diaspora për gjendjen e përgjithshme politike e të sigurisë në komunën e Mitrovicës.

“Komuna e Mitrovicës është komuna më specifike në Kosovë dhe me më së shumti probleme të grumbulluara për shkak të situatës jo stabile dhe jo të qëndrueshme, si pasojë e veprimit të papengueshëm të strukturave paralele joligjore serbe dhe të ekstremistëve serbë. Kjo situatë e krijuar deri në ardhjen time si kryetar i komunës,  ka pamundësuar edhe zhvillimin e ekonomik, pasi që investitorët e ndryshëm nuk kanë shprehur interesim për investime këtu ku problemet ndëretnike dhe tensionet ishin të larta. Natyrisht, se kësaj i kanë kontribuar edhe krimi i organizuar dhe  kontrabandë, ku ishin të përfshirë persona të përkatësive të ndryshme etnike”, tha ai.

Në vazhdim kryetari Bahtiri  tha se drejtuesit e mëparshëm të komunës nuk kanë qenë të vendosur në luftimin e këtyre dukurive dhe as të përkushtuar për stabilizimin e plotë të gjendjes politike, pasi që ajo ju konvenonte grupeve të caktuara për përfitime personale.

“Mirëpo, që prej ardhjes time gjërat kanë ndryshuar për të mirë. Angazhimi im dhe i komunës ishte i përkushtuar për përmirësimin e raporteve ndëretnike, evitimin e incidenteve ndëretnike dhe luftimin e krimit e të kontrabandës. Ky angazhim dhe sidomos maturia e qytetarëve, bënë që tani Mitrovica të jetë një ndër qytetet më stabile  në Republikën e Kosovës. Gjatë vitit 2016 kemi arrit rezultate të mira në zhvillimin ekonomik. Është funksionalizuar Zona e lirë ekonomike, janë hapur fabrika të reja dhe është shtuar interesimi i investitorëve të huaj për Mitrovicën”, shtoi ai.

Kryetari Bahtiri ju tha afaristëve nga diaspora se Mitrovica ka nevoja të mëdha për investime dhe zhvillim, dhe se ata mund të ndihmojnë në këtë drejtim, në mënyrë që ky qytet dikur i zhvilluar ekonomikisht, të filloj rimëkëmbjen e plotë.

Afaristët nga diaspora shqiptare, thanë se janë shumë të interesuar që të ndihmojnë  zhvillimin e ekonomik të vendit dhe se në këtë drejtim edhe kanë dhënë kontribut, duke përmendur projektet e realizuara, në të cilat kanë gjetur punë deri tash rreth 3.000 persona.

Ata u interesuan për projekte konkrete të komunës së Mitrovicës,  në realizmin e të cilave do të mund të jepnin kontributin e tyre, duke shtuar se Mitrovica do të jetë prioritet i tyre në të ardhmen dhe se për këtë do të bëjnë plane konkrete për investime, të cilat shpresojnë t’i realizojnë këtu.

Pas takimit, delegacioni i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, i përcjell nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim  Bahtiri, vizitoi Fabrikën e Kërpudhave në Gushafc.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)