Administrata Tatimore e Kosovës mbledh 623.6 milion euro
Prishtinë, 4 nëntor - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se trendi rritës i të hyrave vazhdon ta dominoi inkasimin edhe për periudhën janar-tetor 2022, ku përtej planit jemi për 12.9 milion euro apo 2.1%, përderisa, vlera totale e inkasimit shkon në 623.6 milion euro tatime.
Ndërsa, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 111.1 milion euro apo 21.7%.
"Performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit", thekson ATK.
Po ashtu sipas ATK-së vlen të theksohet se kjo rritje ka ndodh pa pasur ndryshim të normave tatimore.
Vlerësim për rritje dyshifrore të të hyrave së fundi ATK ka marrë edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai nga Komisioni Evropian dhe PEFA.
Në këto raporte theksohet se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020 (të hyrat e përgjithshme, ATK & Doganë).