28 Prill 2025

Acp Axos Capital, partner strategjik i ekonomisë kosovare

Prishtinë, 25 prill - Që prej disa muajsh, njëra nga temat më të diskutuara në publik ishte tema e shitjes së Postë-Telekomit të Kosovës.

Por debati rreth kësaj çështjeje u bë veçanërisht intenziv në ditët e fundit, sidomos pas shpalljes së fituesit: Konsorciumi i përbërë nga investitorë amerikanë dhe evropianë nën udhëheqjen e ACP Axos Capital GmbH.

Në debatin e sipërpërmendur janë përfshirë parti politike, përfaqësues të OJQ-ve, gazetarë, publicistë dhe ekspertë të fushës përkatëse. Me këtë debat disa herë është hedhur dyshim në liderin e konzorciumit fitues të PTK-së, ACP Axos Capital Partners dhe gjithë procesi i finalizimit të kësaj shitjeje është quajtur jotransparent.

ACP Axos është paraqitur disa herë si një blerës formal i aksioneve të PTK-së dhe si një kompani me kapital, të cilit gjoja nuk i dihet prejardhja, me një fjalë sipas këtyre “hulumtimeve” del se nuk u ditka se kush në fakt qëndruaka pas blerësit.

Gazeta “Lajm”, ndryshe nga një pjesë e shtypit negativ, ka hulumtuar rreth kësaj çështjeje në vendin prej nga vjen ACP Axos, pra në Gjermani, dhe ka mësuar se kush është ACP Axos, cili është kapitali i saj, kush qëndron prapa saj, cilat janë aktivitete e ACP Axos në fushën e telekomunikimit, a është blerë PTK me çmim të ulët, a janë përfshirë në çmimin prej 277 milionë eurove edhe ndërtesat dhe infrastruktura përcjellëse, a qëndron pas ACP Axos “Deutsche Telekom”, cilat janë planet e ACP Axos për krijimin e vendeve të reja të punës, cilat do të jenë rrjedhojat e këtij investimi të parë të madh në Kosovë dhe a do të tërheqë ai pas vetes investime të tjera të rëndësishme për ekonominë tonë.

Një burim i besueshëm në Hamburg ka thënë për gazetën “Lajm” se ACP Axos Capital GmbH është një kompani me kapital privat (private equity) me seli në qytetin e Hamburgut dhe se kjo kompani është themeluar enkas për t’i menaxhuar investimet e kapitalit privat për privatizimin e PTK-së. Jo rastësisht është përzgjedhur struktura e një kompanie të vogël dhe fleksibile, sepse në këtë mënyrë përshpejtohet vendimmarrje dhe përmbushen kërkesat e procesit të tenderimit sa më mirë që të jetë e mundshme.

Kjo kompani financohet nga Axos Cayman, e themeluar në vitin 2007, i cili është një fond investues i Axos Capital ACP. Ndër investitorët themeluese janë DCM (www.dcmvc.com) dhe Columbia Capital (www.colcap.com), dy investitorë të rëndësishëm në fushën e telekomunikacionit, të cilat kanë bërë tashmë mbi 100 investime në sektorin e telekomunikacionit. Axos Cayman ka marrëveshje financimi me ACP Axos Capital GmbH që arrijnë në shumën prej më se 250 milionë dollarë, të cilat janë shqyrtuar dhe miratuar në procesin e kualifikimit të Raiffeisen-it dhe Lazard-it.

Ministrat e Njësisë së Zbatimit të Procesit (Process Implementation Unit) i kanë miratuar të gjitha dokumentet kualifikuese për ACP Axos Capital. ACP Axos Capital vlerësohet shumë dhe ka kontrata ose është në negociata me shumë institucione të rëndësishme globale (IFC, BERZH/EBRD, British Telecommunications, Telecom Italia).

Transaksioni është financuar plotësisht, nuk ka rreziqe financiare. Privatizimi do të bëhet me këtë çmim. ACP Axos Capital këshillohet në këtë proces nga British Telecom dhe Telecom Italia, dy prej ofertuesve më të suksesshëm ndërkombëtarë në fushën e telekomunikimit.

Të dy këto ndërmarrje sjellin ekspertizat e tyre teknike dhe do të jenë kompetente për menaxhimin operativ.

Axos ka qenë e përfshirë në blerjen dhe privatizimin e projekteve të: GTS Evropën Qendrore, Telecom Sllovenia, BH Telecom, UkrTelecom, Cosmofon, ALBtelecom dhe Moldtelecom, vlera e përgjithshme e të cilës është më shumë se 5 miliardë euro. Axos ishte një partner, menaxher ose konsulent për Columbia Capital, Bain Capital, Blackstone dhe kompanive të tjera.

Disa nga këto projekte janë në proces e sipër. Këshilli/Bordi i ACP Axos Capital, gjithnjë sipas këtij burimi, përbëhet nga Volker Ruhe (kryetar), ish-ministër Federal i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë në vitet 1992-1998; prof. dr. Horst Teltschik, ish-kryetar i Konferencës së Sigurisë së München-it, ish-sekretar parlamentar dhe ish-kryetar i Boeing Europe; Jan Geldmacher, anëtar i bordit të Vodafone Gjermanisë dhe ish CEO i British Telecom Deutschland si dhe nga Richard Burt, ish-ambasadori amerikan në Gjermani. Burimi ynë për sa i përket kapitalit vetanak financiar të ACP Axos Capital GmbH ka thënë se është absurditet absolut të pohosh se kësaj kompanie i mungojnë paratë.

Projekti është drejtuar nga një konsorcium plotësisht i financuar, ngase i ka të gjitha mjetet e nevojshme – që janë shqyrtuar dhe miratuar nga Raiffeisen-i dhe Lazard-i, bankat këshilluese të shitësit, pra PTK-së.

Nuk ka as një rrezik financimi, privatizimi do të bëhet në çmim, për të cilin kemi rënë dakord. Siç u përmend më sipër, ACP Axos Capital disponon nëpërmjet kompanisë së saj bijë, Axos Cayman, një shumë që i kalon 250 milionë dollarët, shumë kjo e kërkuar në procesin e tenderimit.

Ky është kapital vetanak (Private Equity), që kjo firmë e ka në posedim. Burimi ynë ka thënë se nuk është aspak e vërtet se ACP Axos Capital i ka blerë shumë lirë aksionet e PTK-së. Nuk ka kurrfarë dyshimi që PTK-ja është një kompani shumë profitabile, dhe në ACP Axos janë shumë krenarë që nga ky proces ata kanë dalë fitues.

Axos paguan 277 milionë euro për PTK-në dhe kështu 130 milionë euro më shumë se ofertuesi i dytë më i lartë. Një çmim i blerjes në lartësinë e pesëfishit të EBITDA (earnings before interest, taxes, depreciation and amortization) është shumë e zakonshme në këtë fushë. Ne kemi ofruar aq shumë, sepse ne besojmë në potencialin e rritjes së PTK-së dhe Kosovës.

Ndër të tjera, qëllimi ynë është që të vazhdojmë të investojmë në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kompanisë. Përveç kësaj, nuk duhet të harrojmë se PTK-ja nuk është pronar i ndërtesave, prandaj edhe nuk i ka shitur ndërtesat e saj, dhe gjithashtu statusi i aseteve të tjera nuk është i sqaruar.

Pra, duhet të krahasohet pesëfishi EBITDA-tit me kompanitë e tjera të telekomunikacionit, të cilat kishin gjithashtu edhe ndërtesat e tyre! Për sa i përket spekulimeve të një pjese të shtypit tonë se pas Axos-it qëndron Deutsche Telekom-i, burimi ynë thotë se nuk është e vërtetë se në këtë investim të jetë përfshirë Telekomi gjerman. Partnerë konsultativë të ACP Axos Capital GmbH siç është cekur edhe më lart në këtë projekt janë British Telecom (BT) dhe Telecom Italia (TI).

Një tjetër çështje për të cilën flet burimi ynë janë edhe planet e ACP Axos Capital GmbH për krijimin e vendeve të reja të punës në fushën e telekomunikimit. Kjo pikë është shumë e rëndësishme për kompaninë gjermane.

Me privatizimin e PTK-së nga ana e ACP Axos nuk do të shkaktohet humbja e asnjë vendi të punës. Përkundrazi: privatizimi do të sjellë me vete më shumë punë, vende të reja pune, dhe mundësi dhe shanse të reja, për punonjësit e PTK-së.

Konsulentët teknikë të ACP Axos kanë planifikuar përgjatë pesë viteve të ardhshme se investimet në PTK do të kalojnë shumën prej 100 milionë eurove: për ndërtimin e infrastrukturës së re, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe trajnimin e stafit në teknologjitë e reja.

Punonjësit e PTK-së dhe bizneset e Kosovës janë furnizuesit e preferuar për përmirësimet, ndërsa BT do të sigurojë ekspertizën teknike, trajnim dhe mbështetje. Në raportin e tij teknik BT vlerëson aftësitë dhe përkushtimin e punonjësve të PTK-së. Ato janë një pasuri e madhe dhe një burim dhe ACP Axos do të investojë në to.

Punonjësit e PTK-së do të mbahen në punë, do të trajnohen dhe do të kenë mundësi të reja të rëndësishme për zhvillim profesional. Përmirësimi i rrjetit të komunikimit do të ketë efekte të forta për rritjen ekonomike.

Çdo euro e investuar në telekom shton një euro në rritjen ekonomike. Nga ky këndvështrim, ajo është drejtuesi më efikase e rritjes ekonomike. BT ka një program universitar telekomi në Angli.

ACP Axos do të dërgojë inxhinierë të rinj nga Kosova për t’i trajnuar atje, si dhe do të ofrojë trajnim përmes internetit për inxhinierët dhe menaxherët në Kosovë. Siç dihet, Republika Federale e Gjermanisë ka luajtur dhe luan ende një rol të rëndësishëm në historinë më të re të vendit tonë.

Shumë njerëz në Kosovë shpresojnë se investitorët nga Gjermania me investimet e tyre ekonominë kosovare mund ta nxjerrin nga stagnimi shumëvjeçar.

Burimi ynë thotë se shpreson që investimet e ACP Axos Capital GmbH të jetë bërë vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Ky investim nëpërmjet këtij konsorciumi është një mundësi unike për Kosovën.

Ajo dërgon një sinjal të qartë se investimet e kapitalit privat në vend mund të jenë të suksesshëm. Populli i Kosovës duhet të jetë shumë krenar që ka një investitor si ky konsorcium, që përfshin Telekomin Britanik, Telecom Italia, Bankën Botërore, BERZH, Najafi dhe Axos.

Kusht kyç për tërheqjen e partnerëve të tillë të rëndësishëm dhe investime të mirëfinancuara është transparenca dhe ndershmëria e procesit të privatizimit.

Procesi i privatizimit të PTK-së do të shikohet me interes nga investitorët perëndimorë të cilët kanë qenë skeptikë në lidhje hyrjen e tyre në Kosovë. Ky proces ka shumë potencial për investime të mëtejshme në rritjen ekonomike të Kosovës.

Investimi i ACP Axos Capital GmbH vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, e cila punon për integrimin e saj në komunitetin evropian, tha ndër të tjera burimi ynë gjerman.


/ Lajm/

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)