Abrashi vuri gurthemelin në projektin e Zyrës së Punësimit në Rahovec
Rahovec, 28 shtator - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, vuri sot gurthemelin për objektin e ri të Zyrës së Punësimit në Rahovec.
Ministri Abrashi tha se ky objekt është dizajnuar për të ofruar shërbime më cilësore për punëkërkuesit e rinj të kësaj komune. Duke falënderuar bashkëfinancuesit e projektit GIZ dhe SDC, Abrashi ka shtuar se Zyrat e Punësimit do të kenë krejtësisht një rol të ri në të ardhmen në ofrimin e shërbimeve, brenda një sistemi të integruar në kuadër të Agjencisë së Punësimit, e cila do të funksionalizohet në të ardhmen. Ai ka potencuar se punësimi mbetet prioriteti numër një i Qeverisë dhe ky nuk është projekti i vetëm për banorët e kësaj komune.
Në përurimin e punimeve të këtij projekti, përfaqësuesja e GIZ-it , Emily Cullom, njëherësh edhe udhëheqëse e projektit Promovimi i punësimit të të rinjve në Kosovë, tha se ndjehet e lumtur që në këtë projekt është bashkëpartner me MPMS-në. Ajo tha se fokusimi ynë është që të ofrojmë shërbime sa më të mira dhe më cilësore. Znj Cullom ka shtuar se edhe në projektet e mëhershme kemi parë se në Rahovec ka shumë energji pozitive për të punuar së bashku.
Projekti bashkëfinancohet nga GIZ dhe organizata zvicerane për bashkëpunim SDC (Swiss Development Cooperation).
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi.