Abi fituese e çmimit Biznesi më i mirë në zhvillimin me të varfrit
Prishtinë, 14 dhjetor - Organizuar nga Oda Ekonomike dhe UNDP-ja, të martën në mbrëmje është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimit - Biznesi më i mirë në zhvillimin e biznesit me të varfrit, fitues i së cilit çmim është ndërmarrja ABI sh.p.k nga Prizreni, ndërsa mirënjohje për kontributin në zhvillimin e biznesit me të varfrit u janë dhënë edhe kompanive, Bibaj, Brendi , Pestova, si dhe kompanive Buqaj dhe Valoni.
Në këtë ceremoni zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, u zotuan se bizneseve do tu krijojnë parakushte të mira infrastrukturore, në mënyrë që me zhvillimin e tyre të kontribuoj edhe në zhvillimin ekonomik në vend.
Zëvendës kryeministri I Kosovës, Slobodan Petroviq vlerësoi lartë kontributin e komunitetit të biznesit ne zhvillimin ekonomik dhe zvogëlimit të varfërisë.
Qeveria e Kosovës është e angazhuar në krijimin e mirëqenies sociale dhe konsiderojmë se së bashku me bizneset private do tia dalim që të ulim shkallën e varfërisë dhe të krijojmë kushte më të mira pëe jetë të qytetarëve të vendit tonë, tha Petroviq.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se janë duke punuar që vitin e ardhshëm të ketë politika edhe më të mira, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e bizneseve në vend. Sipas tij, sektori privat duhet të jetë edhe promotori zhvillimit ekonomik të Kosovës në të ardhmen.
Ju e dini se ne kemi vendos për prioritetet tona si Qeveri dhe një nga prioritetet është edhe rritja ekonomike. Qëllimi jonë si Qeveri është që ne të krijojmë parakushte dhe infrastrukturor të mirë legale dhe fizikeve dhe bartës i zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat, ju e keni shikuar që edhe në raportet e Bankës Botërore Kosova këtë vit pritet që të ketë rritjen ekonomike 5.3 për qind që është më e madhja në regjion. Për këtë rritje ekonomike më së shumti kanë kontribuar investimet e juaja, puna juaj dhe angazhimi jonë, ka thënë Hamza.
Kurse kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu vlerësoi se vet prania e një numri të ministrave të kabinetit qeveritar tregon një garanci, e cila dëshmon se do të krijohet një ambient më i volitshëm në favor të sektorit privat.
Ai ka dhënë fjalë të mira për bizneset të cilat krahas rritjes së tyre po ndihmojnë edhe shtresat e qytetarëve në nevojë.
E veçanta e krejt kësaj mbrëmje është se kemi një qasje krejt tjetër, ku promovohet partneriteti mes OEK-ut dhe UNDP-së. Kemi një ndjenjë shumë më sociale për një shtresë të shoqërisë kosovare që ballafaqohet me varfri dhe e tëra kjo dëshmohet se komiteti i biznesit kosovar nuk është duke kontribuar vetëm në krijimin e buxhetit të konsoliduar të vendit, por është duke dhënë edhe një kontribut të pafund në zbutjen e varfërisë përmes donacioneve për shtresën e nevojshme për ndihmë sociale, ka thënë ai.
Që pas përfundimit të luftës një kontribut të veçantë për avancimin e ndërmarrjeve në vend ka dhënë edhe UNDP-ja. Përfaqësuesja për Kosovë e UNDP-së, Osant Lubrani tha se mbështetja ndaj bizneseve do të kontribuoj që ato të zhvillohet më shumë dhe mandej të zbutet edhe niveli i varfërisë në vend.
Dëshirojmë që ti shpërblejmë dhe ti falënderojmë ato kompani të cilat kanë ofruar shërbime dhe mallra me çmim më të volitshëm si dhe kanë ofruar shërbime tjera kompanive më të vogla. Po ashtu, këto kompani kanë ndihmuar kompanitë më të vogla, i kanë furnizuar ato me lëndë të parë dhe më këtë kanë ndihmuar që këto kompani të krijojnë të hyra dhe të jenë në aspektin financiar më stabile, ka thënë Lubrani.