27 Prill 2024

AAK: Qeveria po keqpërdor parat publike

Prishtinë, 20 shtator – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), akuzoi Qeverinë e Kosovës për shpenzime të buxhetit pa mbulesë dhe për keqpërdorime të vijave buxhetore. 


Haki Shatri anëtar i kryesisë në AAK dhe ish ministër i Ekonomisë dhe Financave tha se në raporti i auditimit për vitin 2009 tregon për shumë shkelje dhe keqpërdorime të buxhetit.

Sipas Shatrit edhe ky raport pasqyron një gjendje tepër të rëndë dhe brengosëse për procedurat e planifikimit, shpenzimit dhe mbikëqyrjes së parasë publike.

“Edhe pse raporti kryesisht ka të bëjë me auditimin e pasqyrave financiare të organizatave buxhetore dhe të dy ndërmarrjeve publike, i cili auditim është mënyra më formale dhe sipërfaqësore e auditimit, prapë se prapë të gjeturat tregojnë një situatë për të cilën AAK në vazhdimësi e ka ngritur shqetësimin duke informuar opinionin, për sa i përket shpenzimeve të parasë publike”.

Sipas Shatrit Auditori i Përgjithshëm raporton për 65 raporte individuale të auditimit, nga të cilat vetëm 15 kanë pasqyruar drejt raportet financiare, 15 kanë mungesa të theksuara, 4 janë me mungesa totale dhe 29 kanë të dhëna aq kontroverse sa që auditori nuk mundet te jep vlerësim.

“Dy nga këto raporte, kanë opinion të kundërthënës mes organizatës buxhetore dhe auditorit. Në shtojcën 2 faqe 61 të raportit shihet se të gjitha këto organizata buxhetore përcillen me vërejtje të mungesës menaxheriale. Në pjesën e të hyrave, të realizuara nga Administrata Tatimiore e Kosovës, auditori gjen se të hyrat janë 10 për qind  më të ulëta se në vitin 2008. Rreth 90 milion Euro borxhe të vjetra i takojnë periudhës kohore prej 6 vjetësh, borxh ky i cili sipas rregullores në fuqi do të duhej të shlyhej, pra ka vonesa të theksuara në inkasim të obligimeve”, tha Shatri.

Shatri tha se ka dallime ndërmjet pasqyrave financiare të BKK-së dhe pasqyrave financiare individuale që arrijnë në disa dhjetëra miliona, sidomos pjesa për pasuritë jo financiare dhe avance të pa arsyetuara.

“Diferenca në mes të këtyre dy dokumenteve, pasqyrës financiare të BKK-së dhe listës së pagave është 26.8 milion euro.  Shpenzimet në total janë realizuar 86.5 për qind, nga të cilat investimet vetëm 80 për qind. Dukuria e shpenzimeve të larta në fund të vitit nuk është eliminuar, por përkundrazi është rritur. Pagat dhe mëditjet në disa raste janë kryer nga vija buxhetore e Mallëra dhe Shërbime, që është e kundërligjshme. Ri-alokimet, shumicën e rasteve janë bërë jashtë procedurave ligjore”.

Shatri tha se ka mos përputhje në të dhënat kontabël në thesarin e Kosovës dhe llogaritë bankare në BQK, një diferencë që arrin në 79 milion Euro. Po ashtu, sipas Shatrit, interesat nga depozitat nuk janë pasqyruar qartë dhe mungon rezultati i depozitimit.

“Nuk është bërë shpalosja e obligimeve të pa paguara në pasqyrat financiare. Në regjistrat kontabël mungon prezentimi i vlerës financiare të pasurisë publike. Ka mospërputhje në mes të shpenzimeve buxhetore me ligjin për buxhetin”.

Shatri tha se edhe menaxhimi financiar -  planifikimi dhe ekzekutimi i buxhetit përcillet me dobësi të theksuara, sidomos tek investimet kapitale.

“Ri-destinimi i mjeteve bëhet me qëllim të shmangies nga suficiti dhe është i shprehur në fund të vitit. Certifikimi i pagesave të parregullta është rritur, që nënkupton: pagesat pa përmbushur kushtet e kontratës, pa raportin me shkrim dhe pa respektimin e ligjit mbi prokurimin publik. Në disa raste, faturat e pagesave nuk janë raportuar fare. Fondet janë zotuar pas nënshkrimit të kontratave, etj”.

Sipas Shatrit edhe në paga ka shkelje të theksuara në pranimin e stafit: mungojnë dosjat, kontratat, përshkrimet e vendeve të punës, pranimi i të punësuarve pa konkurse, pa shpalljen e vendit të punës, etj.

Ai hedh problemin edhe te ndërmarrjet publike, që sipas tij, të gjeturat e auditorit tek ndërmarrjet publike tregojnë se nuk ka monitorim efektiv nga qeveria.

“Nuk ka pasur as raportim të gjendjes së këtyre ndërmarrjeve në qeveri. Mungojnë aktet nënligjore të MEF-it, për raportim. Çështja e TVSH-së, vonesa e inkasimit të borxheve, shlyerja e këtyre borxheve, inkasimet jo të rregullta, etj. AP ka konstatuar parregullsi edhe te ndërmarrjet shoqërore si AKP-ja, Institucionet e Pavarura, etj.
Tek komunat, nga 33 raporte, për 29 komuna nuk ka pasur mundësi të epet opinion për shkak të mangësive substanciale të pasqyrave financiare. Për dy komuna, opinioni është i kualifikuar, dhe vetëm  Prishtina dhe Prizreni ka opinion pozitiv, sipas AP-së”, tha Shatri.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)