AAK: Qeveria injoron mërgimtarët
Prishtinë, 7 prill - Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë cilësuar si tepër të vonuara reagimet e Qeverisë së Kosovës ndaj ndërprerjes së pensioneve të kosovarëve nga shteti zviceran, duke thënë se ekzekutivi po tregohet i pa interesuar dhe indiferent ndaj mërgimtarëve.
Në një konferencë për media të mërkurën nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me shkëputjen e marrëveshjes për sigurimet pensionale dhe invalidor me Zvicrën, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill.
Ky paralajmërim për një vit dhe absolutisht një reagim nga ana e Qeverisë sonë, Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është treguesi më i mirë, se nuk po zgjohet nga gjumi kjo qeveri për të kuptuar se ka detyrim ndaj qytetarëve të vet. Po ashtu, e kemi ambasadën që funksionon atje dhe nuk bëhet një lidhje e mirë mes institucioneve tona dhe institucioneve zvicerane, ka thënë Isufi.
Sipas tij, zgjidhja e vetme për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhet vendi do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Me vendimin e Zvicrës për heqjen e pensioneve nga 1 prilli i këtij viti do të preken mbi 170 mijë bashkatdhetarë që veprojnë dhe punojnë në Zvicër dhe familjarët e tyre që jetojnë në Kosovë.