AAK: Pazari i tenderave PDK-LDK e dështoi edhe OSHP-në
Prishtinë, 15 mars - Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës (AAK), vlerëson se dështimi i sotëm për zgjedhjen e drejtuesve të OSHP-së, është pasojë e pazareve të paharmonizuara ndërmjet partnerëve të Qeverisë së Koalicionit dhe dëshmi se kjo qeveri të vetmin interes e ka vazhdimin e kapjes së shtetit dhe thellimin e fuqizimin e krimit e të korrupsionit.
Përpjekjet e disa ekponentëve të pushtetit, se si opozita qenka fajtore për dështimin e pazareve të tyre, është një përpjekje e mjerë për të fshehur agjendat klienteliste brenda qeverisë, në përputhje edhe me një marrëveshje të kundërligjshme të bashkqeverisjes.
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se plotësimi i kritereve të liberalizimit të vizave dhe agjendave evropiane, është pëng i keqqeverisjes LDK-PDK dhe i interesave të tyre individuale e grupore.
Ngjarja e sotme është edhe një dëshmi se ky kuvend dhe kjo strukturë qeverisëse, e kanë humbur legjitimitetin për përfaqësimin e interesit qytetar dhe shtetëror.