AAK: Kryetar e kemi vetëm Sadikun
Prishtinë 12 janar - Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës të regjistruar si OJQ ri-njofton publikun se organizatën tonë të regjistruar si OJQ me numër 5100145-1 e përfaqëson Kryetari Arbër Sadiku dhe personi zyrtar i autorizuar Valdet Osmani ndërsa kryesia dhe anëtarët e asociacionit janë në regjistrin e anëtarëve të OJQ-së e përditësuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret për qeverisjen e brendshme të Asociacionit.
Sipas ligjit për asocim në OJQ Nr.03/L-57 kuvendi si organi më i lartë përbëhet vetëm nga anëtarët e OJQ të regjistruar të cilët kanë të drejtë vote dhe të drejtën për të zgjedhë dhe zgjedhur në organet e Asociacionit.
Ngase u cek më larët, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës njofton publikun se të gjithë individët si: Ilir Murseli, Gazmend Bunjaku, Veton Maloku, Genc Gafurri, Afrim Bakalli, Drita Grazhda, Adriatik Beqa, Qefsere Sadriu, Fadile Dyla, Burbuqe Deva, Ilir Gjinolli, Ideal Vejsa, Petrit Bajraktari dhe Ardita Rizvanolli NUK janë pjesë e këtij asociacioni të themeluar dhe regjistruar me numër 5100145-1 dhe nuk kane asnjë post apo pozite zyrtare në asociacion, qoftë edhe të anëtarit të regjistruar. Prandaj, edhe çdo veprim, deklaratë apo dokument që rrjedh nga këta persona apo ngjarje tjera të kundërligjshme si ai i datës 04.07.2013 dhe ai i datës 13.11.2013 të cilat NUK janë produkt e as pjesë e këtij asociacioni të regjistruar, janë absolut të pavlefshme për këtë Asociacion. Këto tentime të kundërligjshme nga këta individ në tjetërsimin e pasurisë dhe pronës së asociacionit si person juridik, vjedhjen e identitetit të asociacionit përfshirë mashtrimin dhe përfaqësimi i rrejshëm si zyrtar i OJQ nga individ që nuk i përkasin asociacionit përbën vepër penale.
Asociacioni si person juridik ka vepruar në përputhje me ligjin dhe krahas procedurave ankimore, njëkohësisht, për veprime dhe aktivitete të kundërligjshme dhe penale i ka denoncuar disa individë dhe bashkëpunëtoret e tyre, zyrtarë të DRNOJQ-MAP. Numrat e rasteve ndaj të denoncuarve janë: 2013-AD-2261 (3 Qershor 2013), 25-Qershor 2013 si dhe ai me numër 2013-AB-2624. I gjithë dokumentacioni i OJQ-së dhe vendimet nga organet përkatëse kanë konfirmuar legjitimitetin e OJQ-së tonë të udhëhequr nga përfaqësuesit legjitim, z. Arbër Sadiku dhe z. Valdet Osmani.
Asociacioni ka vepruar në përputhje me ligjin dhe me 30 dhjetor 2013 ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të kundërligjshëm të DRNOJQ me numër 09/393/2013 ku dhe kemi deponuar të gjitha faktet dhe dëshmitë që vërtetojnë kundërligjshmërinë e këtij vendimi. Lidhur me këtë çështje jemi në pritje të vendimit nga organi përkatës. Zyrtari, i denoncuar, i DRNOJQ i cili ka nënshkruar këtë vendim të kundërligjshëm ka ikur nga Kosova menjëherë pas datës së nënshkrimit të këtij vendimi, njofton ky asociacion.
Përfundimisht, çfarëdo letre ose dokumenti që nuk mban nënshkrimin e personave të autorizuar të asociacionit (z. Arbër Sadiku ose z. Valdet Osmani, ose personave të autorizuar nga ndonjëri prej tyre dyve) dhe që nuk mban vulën dhe shenjën zyrtare të asociacionit të regjistruar konsiderohet si dokument i falsifikuar për çka krijuesi apo përdoruesi i atij dokumenti mund ti nënshtrohet ndjekjes penale.