A do të ratifikohet kredia nga BB?
Prishtinë, 3 qershor - Në seancën e kaluar në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur të ratifikohet marrëveshja për kredi nga Banka Botërore. Arsyet e deputetëve, që nuk e kanë votuar marrëveshjen, janë mungesa e dokumentit dhe destinimi jo i duhur i kredisë.
Deputetët e partive opozitare, të cilët nuk e kanë votuar marrëveshjen e kredisë nga Banka Botërore, në seancën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, vendimin e tyre e arsyetojnë me mungesën e dokumentit përkatës.
Ahmet Isufi, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili ka votuar kundër marrëveshjes, thotë se në mungesë të dokumentit, deputetët nuk e kanë ditur çfarë përmban marrëveshja.
Isufi thotë se Qeveria e Kosovës, mjetet e veta financiare i mban jashtë vendit, në anën tjetër, siç thotë ai, futet në kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Kjo qeveri e ka humbur kredibilitetin për ti besuar në raport me buxhetin, qoftë buxhetin e Kosovës, qoftë fonde, të cilat mund të vijnë në Kosovë. Sepse po i shihni reagimet edhe të bashkësisë ndërkombëtare, edhe të nivelit vendor për korrupsionin dhe për masën e lartë të krimit të organizuar.
Prandaj, këto janë nga arsyet, të cilat ndikojnë që deputetët të hezitojnë, e sidomos kur para deputetëve kërkohet të votohet, ndërsa nuk kanë asnjë dokument para vetës, thotë Isufi.
Edhe Besa Gaxherri, deputete nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, nuk e ka votuar marrëveshjen. Arsye e mosvotimit, thotë ajo, është destinimi jo i duhur i kredisë.
Lidhja Demokratike e Dardanisë, vlerëson se Kosova nuk ka nevojë të marrë kredi për të ngritur kapacitete. Në aspektin ekonomik, kreditë merren për investime kapitale, duke marrë parasysh se investimi kapital ndihmon zhvillimin ekonomik.
Ndërsa, për ngritje kapacitetesh, në qoftë se Qeveria dëshiron ti thithë ato donacione, duhet të participojë nga buxheti, shprehet Gaxherri.
Marrëveshja për kredi e arritur me Bankën Botërore, ka për qëllim financimin e projekteve për modernizim të sektorit publik dhe regjistrim të pronave.
Shuma e përgjithshme e financimit të këtyre dy projekteve arrin në 20.25 milionë dollarë, prej tyre 9.11 milionë dollarë janë donacion, kurse 11.15 milionë dollarë janë kredi e butë.
Deputetët, të cilët nuk kanë votuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, kanë qenë të shtyrë nga partitë e tyre politike, thotë Gani Koci, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, në Kuvendin e Kosovës, njëherësh deputet nga Partia Demokratike.
Ai pohon se të gjitha grupet parlamentare paraprakisht kanë qenë të informuara për këtë marrëveshje, para se ajo të procedohet urgjentisht në Kuvend.
Arsyet që kanë dhënë deputetët, të cilët nuk e kanë votuar, janë krejt të pabaza, sepse edhe Rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovë thotë se në raste urgjente, mund të futet në pika urgjente në rend të ditës, pavarësisht se materiali nuk mund të procedohet me kohë.
Do të thotë, ka qenë pikërisht një inercion i paarsyeshëm politik i deputetëve të opozitës që të mos votojnë, sqaron Koci.
Sipas Kocit, mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje, është sinjali i parë negativ, që Kuvendi i Kosovës u ka dhënë institucioneve financiare ndërkombëtare.
Mirëpo Koci shpreh shpresë se në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, marrëveshja të votohet nga të gjithë deputetët.
Nëse nuk votohet nesër, është tragjike për Kosovën, sa i përket zhvillimit ekonomik edhe ndihmave që do të vijnë, qoftë në formë të donacioneve, qoftë në formë të kredisë.
Dhe, me këtë deputetët e opozitës e humbin të drejtën të kritikojnë Qeverinë, për mos-thithjen e donacioneve dhe kredive nga autoritetet financiare ndërkombëtare, thekson Koci
Ndërsa, lidhur me këtë, Ahmet Isufi thotë:
Dokumenti ekziston tani, është duke u përpunuar edhe në Grupet Parlamentare dhe normalisht nëse është në interes të Kosovës, do të votohet, por nëse është në dëm të Kosovës, nuk do të votohet.
Por, Besa Gaxherri thotë se Lidhja Demokratike e Dardanisë, nuk do të votojnë as nesër marrëveshjen, nëse autoritetet kompetente nuk japin arsye më të fuqishme për rëndësinë e kredisë.
Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Dardanisë është i paluhatshëm. Kemi shumë arsye dhe në qoftë se dikush do të dalë dhe të na bindë, që nuk kemi të drejtë, atëherë është krejt tjetër, sepse ne nuk jemi aty për të bërë shantazhe, jemi shumë konstruktivë, thekson Gaxherri.
Në anën tjetër, vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të kenë mirësinë për ta votuar kredinë nga Banka Botërore, e cila, sipas tij, është në interes të mirë për të gjithë, e në veçanti për të ardhmen e Kosovës.
/rfe/