06 Nëntor 2024

70 për qind e te punësuarve në Kosovë me kontrata të përkohshme

Prishtinë, 19 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e katërt (TM4) 2017.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar
3 616 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.9%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt (TM4) 2017 është 29.8%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt (46.8%), ndërsa punësimi te femrat është 12.5%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë, me 48.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit, me 45.2%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 15.1%; ndërtimtaria me 13.1%; prodhimi me 12.1%; dhe arsimi me 10.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me një përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 29.3% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.7% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2017, shkalla e papunësisë është 30.6%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 37.1 %, krahasuar me meshkujt, 28.7%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.9%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM4 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 57.1%, me fokus të veçantë te femrat me 80.1%, krahasuar me meshkujt, 34.3%.

Për realizimin e AFP-së, TM4 2017, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)