23 Dhjetor 2024

56 për qind e të punësuarve në Kosovë me kontratë të përkohshme

Prishtinë, 4 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2021.

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.5%.  

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2021 është 29.3%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (42.8%), ndërsa punësimi te femrat ishte 15.9%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.1% të tyre.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8%; prodhimi me 12.4%; arsimi me 11.1%; dhe ndërtimtaria me 9.4%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44.0% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56.0% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, shkalla e papunësisë është 25.8%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7%, krahasuar me meshkujt, 24.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 60.5%, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 %, krahasuar me meshkujt, 43.5%.

Për realizimin e AFP-së, TM1 2021, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)