15 Nëntor 2024

48 milionë njerëz në SHBA nuk e kanë të sigurtë ushqimin

Washington, 27 dhjetor - Më shumë se 48 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të sigurtë ushqimin në familje dhe këtu përfshihen më shumë se 15 milionë fëmijë.

Vetëm në qytetin e New Yorkut, ka 1.5 milion banorë që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Çdo muaj, ata vihen përpara alternativës: do të paguajnë qiranë apo do të blejnë ushqim. Familja Gutierrez është një shembull.

Është stinë festash në banesën e Jose dhe Oleyda Gutierrez në Bronksin jugor. Ata u gëzohen festave por buxheti për ushqime është i ulët. Jose është i vetmi që sjell të ardhura në familje. Ai punon në një restorant me pagë të ulët dhe me bakshishe minimale.

\"Paratë që fitojmë nuk na mjaftojnë. Nuk na dalin për të blerë ushqime  as për javën e jo për muajin. Frigoriferi është pothuajse bosh. Nuk blejmë dot mish, as gjëra të tjera. Hamë vetëm ushqime bazë si fasule, oriz, qumësht dhe vezë. Për ndonjë gjë të mirë nuk bëhet fjalë.\"

Familja Gutierrez ndihmohet me kupona ushqimesh, në bazë të një programi asistence. Por, me shkurtimet që kërcënojnë buxhetin qeveritar, të varfërit mund të mos e shohin më dietën e shëndetshme.

Philomena Acebedo është koordinatore e Koalicionit Kundër Urisë për New Yorkun.

\"Edhe pse punojnë, ata ende kanë nevojë për kupona ushqimorë, sepse nuk u mjafton. Me paratë që fitojnë atyre u duhet të paguajnë qiranë dhe nuk u del të ushqehen.\"

Në Harlemin perëndimor, të varfërit dhe të uriturit formojnë radhë të gjata deri jashtë një kuzhine supe. Margarette Purvis është Presidente e organizatës Food Bank për Qytetin e Nju Jorkut.

\"Ne u shërbejmë familjeve. Për të jetuar në qytet shumicës së këtyre familjeve u duhet të punojnë. Ata punojnë çdo ditë dhe shumë. Për fat të keq, ata nuk fitojnë sa duhet për të mbuluar qiranë, ushqimin dhe kujdesin e fëmijëve.\"

Në të gjithë qytetin, organizata shpërndan 120 racione ushqimi çdo minutë. Shkurtimet e buxhetit dy vjet më parë po i kushtojnë qytetit shumë racione që duhet t’u ishin shpërndarë të varfërve nga familjet që punojnë.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se, në vitin 2014, mbi dy milionë fëmijë kanë përfituar nga kuponi ushqimor. Sipas një studimi të fundit, këta fëmijë kanë përfituar edhe në aspekte të tjera si shëndetësi dhe arsim. Në Nju Jork kanë përfituar rreth 400 mijë fëmijë të moshës parashkollore.

E megjithatë, në apartamentin e familjes Gutierrez, fëmijët mezi presin të festojnë bashkë me prindërit. Babai i hedh një sy listës së dëshirave të tyre. 

\"Shumicën e lodrave që ata duan, unë nuk e përballoj dot. Por, do bëj ç’të mundem që ata të gëzojnë për festat.”

Jose thotë se do t’u blejë atyre dhurata sapo të marrë rrogën. Por, paratë nuk do t’i dalin për të blerë shumë dhurata e as për ushqimin e familjes.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)