40 përqind e kompanive të huaja në Maqedoni janë me kapital amerikan
Shkup, 17 korrik - Dje në Maqedoni u përurua kompania amerikane DURA, e cila prodhon pjesë për automjete. Kompania për dhjetë vjetët e ardhshëm do të investojë 38 milionë dollarë, ndërsa do të punësojë 500 njerëz.
Në zonat e lira ekonomike të Maqedonisë, 40 përqind e kompanive të huaja janë me kapital amerikan. Autoritetet në Shkup shpresojnë se me afrimin drejt Natos dhe BE-së investimet e huaja do të shtohen në më shumë fusha.
Ftesa e Natos për Maqedonisë dhe caktimi i datës për bisedimet me Bashkimin Evropian duket se po krijojnë një atmosferë të mirë dhe tërheqëse për kompanitë e huaja për të ushtruar veprimtaritë e tyre në Maqedoni.
Brenda një jave dy kompani amerikane kanë paralajmëruar, përkatësisht po fillojnë ndërtimin e fabrikave në rrëthinat e Shkupit. DURA Automotive Systems nisi sot punimet për fabrikën e re në zonën e lirë tregtare në lindje të Shkupit.
"Ditë e lumtur për ekonominë e Maqedonisë! " Kështu e cilësoi kryeministri Zoran Zaev përurimin e kompanisë amerikane këtu, ndërsa tha se kjo është një dëshmi se ekonomia po lëviz në kahun e duhur.
"Maqedonia seriozisht po pozicionohet si një destinacion stabil dhe afatgjatë i biznesit në Evropë", tha zoti Zaev.
Ai thotë se ftesa për anëtarësim në NATO do të rezultojë me një optimizëm më të theksuar; “Presim investime të shumta në më shumë fusha, sepse anëatësrimi në Aleancë dhe reformat që po ndërmarrim do të sigurojë investitorët e huaj dhe kjo do të paraqesë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë e cila do të krijojë jetë cilësore për qytetarët tanë”, tha kryeministri maqedonas.
“Përvoja dhe analizat ekonomike tregojnë se anëtarësimi në Nato ndikon pozitivisht në shtimin e invetsimeve direkte të huaja”, tha zoti Zaev duke përmendur dhe ofruar shifra në rastet e Bullgarisë dhe Estonisë para se të bëheshin pjesë e Natos dhe pasi ishin anëtarësuar në Aleancën ushtarake.
Autoritetet në Shkup thonë se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në rrafshn eknomik është në ngritje. Eksporti maqedonas drejt SHBA është rritur për 28 %. Rreth 40 % e kompanive aktive që veprojnë në zonat e lira të Maqedonisë, janë me kapital amerikan. Ato së bashku kanë krjuar 9500 vende pune per qytetarët e Maqedonisë.
DURA Automotive Systems do të shtrihet në një sipërfaqe prej 16 mijë metrash katrorë. Kompania merret me prodhimin e pjesëve për automjete. Ajo ka në plan të punësojë 500 punëtorë, ndërsa pritet të fillojë me punë vitin e ardhshëm.