15 Nëntor 2024

35 rastet e Task Forcës: Blerje kohe dhe ikje nga përgjegjësia

Prizren, 22 prill - Inspektorati i Komunës së Prizrenit në fillim të kësaj jave ka paralajmëruar dërgimin e njoftimeve te pronarët e objekteve të banimit dhe ato afariste për evitimin e tejkalimeve apo shkeljeve në raport me lejet ndërtimore, të cilat ishin evidentuar pas shqyrtimit të 35 rasteve nga Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit.

Në procesverbalin e mbledhjes së Task Forcës të datës 10 shkurt 2016, në rend të ditës ka qenë “shqyrtimi i 35 rasteve të ndërtimit në QHP, me raportin e detajuar të Sekretariatit të Task Forcës dhe sugjerimet që duhet t’i merr Task Forca”, me ç’rast është bërë edhe prezantimi i rasteve.

Bazuar në të dhënat e prezantuara në këtë procesverbal, nga 35 rastet e shqyrtuara, përafërsisht del se:

·         Në 8 raste punimet janë në përputhje me projektin

·         Në 1 rast nuk ka filluar ndërtimi

·         Në 9 raste janë vendosur dritare të plastikës në vend të drurit

·         Në 5 raste ka parregullsi me rrethoja, gardh, vitrina apo fasadë

·         Në 11 raste ka tejkalime nga leja e ndërtimit, të natyrave të ndryshme

·         Në 1 raste ka tejkalim në gabarit  

Ky bilanc i rasteve nxjerrë në pah faktin se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, përkatësisht institucionet që e përbëjnë këtë trup kanë vendosur që të vazhdojnë avazin e instaluar prej vitesh nga organet kompetente për ikje nga përgjegjësitë për vendosjen e rregullit urbanistik në qendër të Prizrenit.

 

EC Ma Ndryshe konsideron se vendosja e rregullit urbanistik në Qendrën Historike të Prizrenit kërkon veprime më energjike të institucioneve që kanë përgjegjësi ligjore e kushtetuese e që janë pjesë e Task Forcës, për t’u përballë me rastet ekstreme, dhe jo për të blerë kohë duke numëruar punimet që janë bërë në përputhje me projektet apo devijimet me PVC dritare.

Derisa Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit është marrë me rastet e sipërpërmendura, në terren, ka pas raste të rënda, pra të rrënimit apo djegies së objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, me ç’rast janë humbur vlera të çmuara të qytetit historik.

Pos kësaj, EC Ma Ndryshe vlerëson se shkeljet në qendër të Prizrenit nuk kanë afat kohor, pasi që edhe para miratimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit ka pas legjislacion të mjaftueshëm për vendosjen e rendit urbanistik, prandaj dhe Task Forca duhet që të ndryshoj qasjen dhe të merret me të gjitha shkeljet, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë, të barabartë dhe pa dallime.

 

Ajo çfarë kemi parë deri tani, sa i përket veprimeve të institucioneve lokale në rrugën “Wesley Clark” në Prizren dhe të atyre qendrore në Prevallë është se rrënimet e ndërtimeve pa leje janë kryer në rastet e lehta dhe procesi është ndalur aty, ani pse deklarativisht është thënë se ligji do të zbatohet në të gjitha pjesët e komunës, pa dallim. Ka shumë gjasa që zbatimi i tillë selektiv i ligjit të ndodh edhe në Qendrën Historike, ku “35 rastet” do të shërbenin vetëm si arsyetim për gjoja veprimin në vendosjen e rendit urbanistik.

 
Krejt bashkë janë rreth 20 ligje e mekanizma institucional për mbrojtjen e Qendrës Historike të Prizrenit, ndërkohë që realisht procedura për trajtimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore është mjaft e thjeshtë dhe nuk kërkon as ligje e as mekanizma shtesë. Paradoksalisht Qendra Historike është zona më e mbrojtur në aspektin ligjor dhe institucional në Kosovë, e në të njëjtën kohë edhe më e degraduara në praktikë

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)