250 kompani interesohen për të investuar në Kosovë
Në mesin e shteteve më të interesuara për të investuar në vendin tonë janë: Gjermania, Turqia, Hungaria, Greqia, pasuar nga Shqipëria, Italia dhe Sllovenia. Kurse sektorët potencialë për të investuar janë: Energjia (energjia e ripërtërishme), Teknologjia Informative (IT)/BPO, Bujqësia dhe sektori për përpunimit të ushqimit dhe tekstilit.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), Valdrin Lluka, ka deklaruar se gjatë këtij viti rreth 250 kompani të huaja kanë shprehur interesim të investojnë në Kosovë.
Si rezultat i aktiviteteve të shtuara të APIK-ut, interesimi për të investuar në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më i madh. Vetëm këtë vit kemi pasur rreth 250 kompani të huaja që kanë treguar në një formë interesim për të investuar në Kosovë, ka deklaruar Lluka.
Ai ka thënë për gazetën Epoka e re se Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë disa masa për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për ta lehtësuar procesin e fillimit të biznesit, të cilat janë pasqyruar në raportin e fundit të Bankës Botërore Të Bërit Biznes 2014, i cili ka ranguar Kosovën në pozitën e 86 nga 189 vende të botës, duke e shpallur si një ndër TOP 5 nga 10 vendet reformatore në botë.
Lluka ka shtuar se APIK-u në vitin 2013 ka vendosur qasje të re në promovimin e investimeve, duke bërë vizita të targetuara të investitorëve potencialë.
Janë identifikuar shtatë sektorë kyçë për të cilët mendojmë se Kosova ofron kushte të mira, fuqi të mjaftueshme të punës, si dhe potencial të madh për eksport.
Në bazë të këtyre sektorëve, do të targetohen kompanitë e huaja dhe do të kërkohen vizita individuale, me çrast edhe do tu prezantohet Kosova në mënyrë të përshtatshme për ato kompani. Në këtë mënyrë presim që interesimi për ta vizituar Kosovën dhe shikuar mundësitë për së afërmi do të jetë më i madh, është shprehur ai.
Sipas tij, kompanitë e huaja kanë shprehur interesim të investojnë në sektorin e energjisë së ripërtërishme, teknologjisë informative, bpo, bujqësisë, përpunimit të ushqimit dhe tekstil etj.
Mirëpo sa u përket e IHD-ve, Lluka ka theksuar se Kosova ka disa përparësi dhe pengesa. Investitorët e huaj si përparësi pozitive për të investuar në Kosovë shohin lehtësirat që ofron vendi ynë në biznes, fuqinë e lirë punëtorë si dhe taksat, të cilat janë më të favorshmet në rajon.
Kurse si pengesa konsiderohen furnizimi me energji elektrike, procedurat e ndryshme burokratike në komuna dhe institucione të tjera, kamatat e larta të kredive bankare, mungesa e lehtësirave tatimore dhe stimulimeve financiare, si dhe mungesa e funksionimit të mirëfilltë të sistemit ligjor, ka deklaruar Lluka.
Mirëpo sa u përket normave të larta të interesit të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, i cili ka deklaruar se Kosova është një nga vendet më të shtrenjta sa i përket mbështetjes nga bankat komerciale.
Në bankat komerciale interesi shkon nga 12 deri 23, 24 dhe 25 për qind dhe kjo jep një mesazh tjetër se këtu ka pasiguri për investime për shkak se bankat komerciale gjithmonë këtë e arsyetojnë për shkak të pasigurisë dhe kjo qasje duhet të ndryshojë, për të pasur mundësi që Kosova të promovojë vlera të besimit të fitimit dhe të mundësive të reja, është shprehur Shahini.
Ai ka deklaruar se Kosova pavarësisht të gjitha përpjekjeve që ta posedojë një klimë më të mirë biznesi, këtë nuk po e arrin dhe kjo nuk po ndodh.
Andaj, Shahini këtë e ka konsideruar shqetësuese dhe mundësi që në Kosovë të krijohen kriza të ndryshme. Klima e pafavorshme për investime është shqetësuese, por edhe mundësi që në Kosovë të krijohen kriza të ndryshme për shkak të mungesës së parave dhe investimeve si dhe mungesës së krijimit të vendeve të tjera të punës, andaj krejt kjo u dërgon një mesazh jo të mirë investitorëve dhe vendeve të ndryshme që në Kosovë, me të vërtetë nuk është një klimë e përshtatshme për biznes dhe investime, ka deklaruar Shahini.
Por, me gjithë këto kritika, ai ka vlerësuar se është pozitive për Qeverinë marrja e disa hapave me qëllim të ngritjes dhe përmirësimit të klimës biznesore, duke u renditur Kosova tashmë më mirë se vitin e kaluar sa i përket raportit të bërjes së biznesit nga Banka Botërore.
Andaj, sipas tij, kjo do tu dërgojë mesazh investitorëve, por edhe shteteve të ndryshme, që në Kosovë ka përmirësime dhe ato janë të dukshme.
Shahini ka deklaruar se të gjithë sektorët në Kosovë kanë nevojë për investime të huaja, duke përfshirë prodhimtarinë, produktet ushqimore, minierat dhe mineralet si dhe shërbimet e arsimit dhe shëndetësisë.
Edhe drejtoresha e Shoqatës së Industrisë së Tekstilit në Kosovë, Ardita Prizreni-Rizvanolli, ka bërë me dije se ka të interesuar për të investuar në industrinë e tekstilit. Rizvanolli ka treguar se investitorët e huaj po e kontaktojnë.
Po e shoh se USAID-i do ta ketë një program goxha të madh, mirëpo se si do të implementohet ende nuk dihet, pasi janë në fazën e aplikimit. USAID-i në kuadër të planit për investime në Kosovë i ka disa pika, prej të cilave janë teknologjia e tekstilit, turizmi dhe sektori i teknologjisë informative, ka theksuar ajo.
Sipas saj, krahas interesimit të investitorëve, edhe Qeveria jonë duhet të jetë e gatshme të ofrojë lehtësira për ti joshur investitorët. Sektori i teknologjisë duhet të pozicionohet në sektorin e dytë ose të tretë zhvillimor, kurse për momentin pothuajse jemi në fund të listët, sepse është sektori që nuk ka shfrytëzuar kapacitetet e mundshme, është shprehur ajo.
Ajo hapin e investimeve në teknologjinë e tekstilit e ka quajtur të vonuar pasi, sipas saj, Kosova është vendi i fundit në Ballkan që ka mbetur pa investime në këtë sektor. Ky është momenti i fundit për të investuar në Kosovë. E them me plot gojë se Kosova është vendi i fundit në Ballkan që ka mbetur pa asnjë investim në teknologjinë e tekstilit.
Kjo është hera e parë që dikush po flet për të. Mua po më kontaktojnë mjaft organizata që janë në Amerikë dhe janë të interesuara të aplikojnë në këtë program, ka thënë ajo, duke shtuar se tërheqëse për investimet e huaja mbetet fuqia punëtore e re dhe e lirë.(Epoka e re)
(Albulena S. Mavraj)