24 milionë qytetarë të BE janë të papunë
Bruksel, 10 tetor - Papunësia e 1/4 të të rinjve në vendet anëtare të BE, i detyroi krerët e vendeve evropiane që për tretën herë të mblidhen në një takim në Itali.
Krerët e vendeve të BE u mblodhën në Milano të Italisë për të diskutuar mbi gjendjen ekonomike dhe mbi rrugët që duhet ndjekur për uljen e papunësisë së të rinjve.
Më parë në Berlin dhe Paris ishin organizuar takime të ngjashme. Kryetari i PE Martin Shultz, në takimin e krerëve të BE në Milano, deklaroi se gjendja e punësimit në Evropë ashtu si në të kaluarën është e rëndë dhe papunësia në radhët e të rinjve vazhdon të jetë një nga problemet më kryesore dhe më të dhimbshme për Evropën.
Kryetari i PE tha se parlamenti evropian së bashku me Komisionin evropian do të ndërmarrin plane dhe programe të qarta për tu përballur me papunësinë e të rinjve brenda buxhetit të përcaktuar nga vendet e BE.
Martin Shultz e cilësoi tepër të dobishëm takimin e krerëve të PE dhe të kryetarëve të KiE dhe theksoi se planet e propozuara nga kryetari i ardhshëm i KiE Zhan Klod Junker, janë të mirëpritura, por për realizimin janë të nevojshme edhe investimet e sektorit privat.
Nga ana e tij presidenti francez Fransua Holond, duke folur në Milano, nivelin e papunësisë në radhët e të rinjve në disa vende të BE e cilësoi të papranueshëm dhe rritjen ekonomike në mbarë Evropën e vlerësoi shumë të ulët.
Ai duke folur mbi fondin prej 6 miliard euro për të ndihmuar në punësimin e të rinjve, tha se Franca dhe Italia kanë bërë punë të mirë në këtë drejtim, por disa vende të BE nuk kanë buxhetin e nevojshëm për të ndihmuar në punësimin e të rinjve.
Mbi 40 % e të rinjve në në vendet si Spanja, Italia dhe Greqia janë të papunë, ndërsa në Francë niveli i papunësisë tek të rinjë është 23 %. Vitin e kaluar, Brukseli miratoi një fond prej 6 miliard euro për të ndihmuar punësimin e të rinjve nën moshën 25 vjec dhe ky buxhet deri në vitin 2020 do të shtohet në 20 miliard euro.
Ulja e nivelit të papunësisë është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për kryeministrin italian Mateo Renzi i cili erdhi në pushtet me premtime të shumta për përmirësimin e gjendjes ekonomike të Italisë.
Sipas statistikave mbi 44 % e të rinjve italianë nën moshën 25 vjec janë të papunë. Takimi i krerëve të BE në Milano u shoqërua me protesta masive të qytetarëve italianë dhe të vendeve të tjera evropiane të cilët kërkuan dhënien fund të politikave të kursimit ekonomik. Franca dhe Italia janë dy vende që kërkojnë heqjen e këtyre masave drastike të kursimit, ndërsa Gjermania është mbrojtësja kryesore e këtyre politikave.
Franca dhe Italia deklaruan se objektivi i BE për uljen e deficitit buxhetor nuk do të realizohet, ndërsa ministri gjerman i financave Volfgang Shojble tha se Gjermania nuk beson tek politika e injektimit të më shumë parave në tregjet financiare.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, 24, 8 milionë qytetarë të BE janë të papunë.