24 banka europiane nga Londra do të zhvendosen në Eurozonë
Frankfurt, 30 gusht - Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Bankës Qendrore Europiane Andrea Enria u shpreh ditët e fundit në një intervistë se, për të përballuar pasojat e "Brexit"-it, 24 banka do të zhvendosen nga Londra në Eurozonë, duke transferuar 1.3 trilionë euro kapitale.
Shtatë prej këtyre bankave do të vihen nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore Europiane.
Enria vuri në dukje në intervistë se, për të përballuar situatën pas largimit të Britanisë, duke përfshirë një "Brexit" pa marrëveshje, Banka Qendrore Europiane dhe banka qendrore e Mbretërisë së Bashkuar kanë nxitur bankat britanike të bëjnë përgatitjet e nevojshme për çdo rast, duke përfshirë aplikimin për leje, transferimin e rregullt të kapitaleve, qartësimin e modeleve të funksionimit, krijimin e degëve të reja në vendet e BE-së etj.
Kreu i organit rregullator bankar europian është gjithashtu i mendimit që, edhe pse bankat përkatëse kanë hartuar plane për të trajtuar gjendjet emergjente, "Brexit"-i do të shoqërohet pa dyshim me luhatje në tregun financiar.