2013-a, vit jo i mburrjes ekonomike
Prishtinë, 2 janar - Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB): Nuk duhet të mburremi me 2013-n në fushën e ekonomisë së Kosovës, pasi ka mbajtur një substancë e cila është krijuar më herët. Por për një ekonomi më të qëndrueshme, e cila do të hapte vende të reja të punës, pritet të jetë viti 2014.
2013-a u karakterizua me shumë procese, por duhet ta theksoj një nga proceset më të rënda që kishte Kosova: bisedimet me Serbinë. Ky proces mori kohë, pasi shmangi institucionet shtetërore të Kosovës për të bërë reforma më të mëdha dhe për të investuar më shumë në ekonomi. Ishte një moment historik për të zgjedhur njëherë e përgjithmonë një problem që tash e shumë vite është me një pjesë të Kosovës.
Për një kohë në veri është krijuar një çerdhe e informalitetit, e cila bënte që prodhuesi dhe biznesi formal të mos jenë atraktivë me shërbimet dhe prodhimet e veta. Por, shpresoj se në vitin 2014 do të stabilizohen tregu dhe forca konkurruese në Kosovë, të cilat do të dërgonin një mesazh të mirë për investitorët.
Lumir Abdixhiku, ekspert i ekonomisë nga Instituti RIINVEST: Viti 2013 ka qenë vit i stagnimit ekonomik, pa ndonjë risi në rrjedhat madhore. Kujtoj se edhe këtë vit Kosova është ballafaquar me problemet e njëjta të viteve paraprake, me theks të veçantë me normë të lartë papunësie, normë të lartë varfërie, deficit enorm tregtar e mungesë serioze të investimeve vendore apo të huaja.
Pra, gjatë këtij viti nuk është prodhuar ndonjë politikë ekonomike që do ta fillonte zhbërjen e këtyre problemeve jetike për vendin. Në vend të kësaj, Kosova këtë vit është rënduar sa i përket rangimit në nivelin e korrupsionit nga Transparency International, është cilësuar si vend gjysmautoritar nga Freedom House dhe është trajtuar nga Banka Botërore (BB) e Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si vend me rritje simbolike, prej vetëm 2.5 % përballë nevojave sa katërfishi i saj. Fatkeqësisht, në aspektin ekonomik kemi kaluar edhe një vit tjetër pa bërë asgjë.
Behxhet Haliti, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK): 2013-a do të mbahet mend në ATK për sukseset të cilat janë arritur gjatë këtij viti. ATK-ja për vitin 2013 ka arritur ta tejkalojë planin e të hyrave, njëkohësisht ka ndërtuar një sistem modern të administrimit të tatimeve.
Të hyrat kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Është arritur të ruhet imazhi i një administrate dinamike dhe në shërbim të palëve. ATK-ja ka zgjeruar gamën e deklarimit elektronik edhe për lloje të tjera të tatimeve.
Është shtrirë në të gjitha zyrat regjionale shërbimi i ekselencës menaxhimi i radhës, i cili garanton kualitet më të mirë për tatimpaguesit. Është themeluar divizioni për bashkëpunim ndërkombëtar, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimi i informatave dhe traktatet për tatimimin e dyfishtë.
Nga janari deri më 24 dhjetor të vitit që po lëmë pas janë realizuar të hyra në vlerë prej 301.6 milionë eurosh që, krahasuar me planin e së njëjtës periudhë të vitit 2012, ka pasur rritje për 0.2 %.
Nexhat Kryeziu, ligjërues në Kolegjin ISPE, ish-zëvendësguvernator në BQK: Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2013 ka pasur performancë të mirë. Sektori financiar ka shënuar stabilitet edhe këtë vit dhe se kreditimi bankar ka pasur trend të rritjes, edhe pse kohët e fundit vërehet ngadalësim i rritjes së kreditimit të ekonomisë nga ana e bankave.
Ky ngadalësim është edhe si rezultat i shtrëngimit të kredidhënies në masë të madhe, e cila vlerësohet të jetë ndikuar nga shtrëngimi i standardeve dhe kritereve për kreditimin e ndërmarrjeve, ndërsa tjetra është se një pjesë të potencialit kreditues të bankave e ka absorbuar blerja e bonove të thesarit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër janë shënuar edhe trendë pozitivë në sektorë. Për shembull, fillimi i implementimit SWIFT Kodit Kosovar dhe divorcimi i përdorimit të atij serb nga disa banka komerciale të Kosovës, ku me këtë rast autoriteteve në Kosovë iu mundëson më shumë kontrolle në transaksione të jashtme sikurse edhe më shumë hapësirë në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe financim të terrorizmit.
Sektori real i ekonomisë vazhdon të jetë në nivel jo të kënaqshëm. Hezitimi i bankave komerciale, që ta rrisin nivelin e kreditimit të sektorit, kostoja e lartë e huamarrjes si dhe orientimi i shpenzimeve qeveritare në projektin e autostradës tek një kontraktor, kanë bërë që firmat e ndryshme të kenë probleme me para të gatshme dhe se për shkak të interaksionit të tyre me biznese të shumta, rritja e llogarive të arkëtueshme e tyre është e paevitueshme.
Ndërsa sa i përket tregtisë së jashtme të vendit, Kosova vazhdon të ketë deficit tregtar dhe se pozicioni i saj në këtë fushë mbetet shumë i pafavorshëm, ku edhe 14 vjet pas luftës ekonomia e Kosovës është ekonomi importuese dhe se mbulueshmëria e importeve me eksporte është pak më shumë se 10 %.
Reformat strukturore janë më së të nevojshme. Në njërën anë të ruhet stabiliteti makroekonomik, ndërsa nga politikat fiskale duhet të ndryshohet qasja ndaj bizneseve.
Caktimi i modelit ekonomik të vendit, përfshirë edhe prioritetet, sikurse definimi i përparësive konkurruese të vendit ndaj vendeve të rajonit, janë çështje që duhet të adresohen sa më shpejt. Modeli makroekonomik, bazuar vetëm në stabilitet fiskal dhe rritje afatshkurtër ekonomike, duhet të zëvendësohet me modelin praktik, që siguron stabilitet financiar dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.
Gazmend Qorraj, profesor në Fakultetin Ekonomik në UP: Zhvillimi i biznesit do të ndikonte në zvogëlimin e papunësisë, respektivisht transferin e punësimit nga sektori publik në atë privat, si dhe do të siguronte rritje të qëndrueshme ekonomike.
Në Kosovë ekzistojnë mjaft probleme strukturore të pazgjidhura, të cilat edhe këtë vit kanë limituar zhvillimin e bizneseve si: niveli i ulët i aftësive konkurruese të bizneseve, problemet me krijimin dhe zhvillimin e një baze prodhuese, ekzistenca e monopoleve në disa sektorë dhe mungesa e ndërlidhjes së biznesit me hulumtimin, respektivisht institucionet shkencore dhe universitetet atë që e quajmë Strategjia Evropa 2020. (ER)