18 milionë euro borxhe ndaj Termokos-it
Prishtinë, 12 janar - Ngrohtores së qytetit Termokos konsumatorët e saj që nga paslufta ia kanë borxh 18 milionë euro.
Zëdhënësja e Termokos-it , Afërdita Uka-Fejzullahu, ka deklaruar për gazetën Epoka e re se konsumatorët ia kanë borxh Termokos-it 18 milionë euro, nga të cilat 15 milionë janë borxhe të subjekteve banesore, kurse tre milionë euro borxhe të subjekteve afariste.
Si pasojë e mospagesës me rregull të faturave të ngrohjes, që nga paslufta e deri më tani rreth 12 500 konsumatorë ia kanë borxh Termokos-it rreth 18 milionë euro, rreth 15 milionë prej të cilave janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa rreth tre milionë janë borxhe të subjekteve afariste, ka thënë Uka-Fejzullahu, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat e mundshme për ti inkasuar këto borxhe, pa lënë anash edhe shkyçjen e konsumatorëve borxhlinj si dhe paditë në gjykata.
Uka-Fejzullahu ka thënë se konsumatorët duhet ta paguajnë borxhin sepse Termokos-i është duke ofruar ngrohje cilësore. Që nga fillimi i furnizimit me ngrohje Termokos-i ka ofruar ngrohje të pandërprerë për të gjithë konsumatorët. Përgjithësisht, pjesa më e madhe e konsumatorëve është duke u furnizuar me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore, me përjashtim të ndonjë problemi eventual, që mund të paraqitet ndërkohë për shkak të rrjetit të stërvjetëruar të ngrohjes. Sidoqoftë, edhe në këto raste ekipet tona kanë ndërhyrë menjëherë për ti evituar problemet e paraqitura, është shprehur Uka-Fejzullahu.
Ajo ka bërë me dije se rrjeti i ngrohjes së Termokos-it aktualisht është i shtrirë në lagjet e urbanizuara të kryeqytetit, përkatësisht lagjet: Ulpiana, Dardania, Qendra, Kodra e Diellit, disa objekte në lagjen Kalabria si dhe disa të tjera në Lagjen Mati 1.
E pyetur nga gazeta nëse Termokos-i e ka në plan ta zgjerojë rrjetin edhe në lagjet e tjera, ajo është përgjigjur: Zgjerimi në lagjet, në të cilat nuk e kemi të shtrirë rrjetin e ngrohjes, do të bëhet në një fazë kur Termokos-i do ti sigurojë fondet e nevojshme.