16 institucione qendrore aktualisht në hapësira me qira
Prishtinë, 11 janar - Kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Administratës Publike për gjendjen aktuale të akomodimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe kërkesat për akomodim që do të paraqiten në këtë vit.
MAP ka informuar se aktualisht në hapësira me qira funksionojnë 16 institucione qendrore me 1211 zyrtarë.
Sipas informatës gjatë viti 2019, totali i zyrtarëve të institucioneve që duhet akomoduar është rreth 2600 dhe sipas një parallogaritje, akomodimi brenda standardeve të përshtatshme për punë, nevojiten rreth 40 deri në 50 mijë metra katror të hapësirave për punë.
Opsionet e mundshme të zgjidhjes së kësaj problematike janë përmes shpronësimit të objekteve, vazhdimi i sigurimit të hapësirave me qira edhe për një afat të caktuar ose me fillimin e procedurave për ndërtimin e kompleksit qeveritar për nevojat e institucioneve që janë akomoduar me qira.
Qeveria i ka rekomanduar Ministrisë së Administratës Publike që të përfundojë analizën e kostove buxhetore për të gjitha opsionet e rekomanduara për zgjidhjen e kësaj çështjeje.