1375 persona të dyshuar për korrupsion
Prishtinë, 4 dhjetor - Rreth 1 mijë e 375 persona gjenden tashmë në lupën e Prokurorisë nën dyshimin se janë të përfshirë në raste që kanë të bëjnë me korrupsion. Ky numër i të dyshuarve vjen nga 477 raste të ndryshme që janë duke u hetuar aktualisht në Kosovë.
Ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi shifra prej 1375 personave e cila bëhet me dije nga zyra e prokurorit të shtetit është vetëm deri më 30 shtator të këtij viti dhe jo edhe për dy muajt që lamë pas.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi bën me dije se Prokuroria, përkatësisht prokurorët që merren me rastet e korrupsionit raportojnë në baza tremujore dhe si të tilla aktualisht raportet i kanë vetëm deri në fundin e muajit shtator.
Duke u bazuar në raportin e fundit tremujor Kozmaqi thotë se janë nën hetime gjithsej 1375 persona, 1042 nga të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, 94 raste dyshohen për arkëtim dhe pagesa të paligjshme, 50 akuzohen për përvetësim në detyrë, 67 persona të tjerë dyshohen për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, 28 për marrje ryshfeti nderisa për dhënie të ryshfetit dyshohen 23 persona.
Nga Prokuroria Themelore në Gjilan janë zgjidhur 21 raste, nga prokuroria në Prizren 2 raste, 11 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 10 në Pejë, vetëm 5 prej tyre nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërkaq, 4 në Gjykatën Themelore në Gjakove dhe 1 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Të pyetur rreth rasteve të evidentuara nga kjo agjenci në vitin e fundit, drejtori Hasan Preteni nuk preferon të flasë në detaje por vetëm thotë se e kanë kryer punën konform mandatit që e kanë.
/Zëri/