13 vite nga spastrimi etnik i shqiptarëve në Mitrovicë
Prishtinë, 5 shkurt - Sot Lëvizja Vetëvendosje! së bashku me KMDLNJ-në e Mitrovicës dhe me mbështetjen e Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës, organizuan tryezën lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve nga veriu i lumit Ibër përgjatë muajit shkurt të vitit 2000, veçanërisht vrasjet e shqiptarëve që ndodhën në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të atij viti, e po ashtu ngjarjet që pasuan në vitet në vijim si dhe pasojat e atyre ngjarjeve në të sotmen.
Tribunën e hapi aktivistja e Vetëvendosje!-s, Marigonë Drevinja, e cila foli shkurtimisht për historikun e kësaj pjese të Kosovës.
Pas përfundimit të luftës, në Urën e Ibrit vendosen ushtarë të njësive të KFOR-it, duke krijuar aty një post-bllok, përmes të cilit kontrollonin herë pas here qytetarët që shkonin në pjesën veriore të qytetit. Qytetarët e Mitrovicës tregojnë se kjo ka qenë diçka jo e zakontë për ta, meqë nuk e dinin se cila ishte arsyeja e vendosjes së ushtarëve të KFOR-it te ura.\"
\"Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, tetë muaj pas përfundimit të luftës, në këtë pjesë të Mitrovicës, ndodhën trazira të cilat ia përcaktuan fatin këtij qyteti në një drejtim krejtësisht të ndryshëm prej pjesës tjetër të Kosovës. Në orët e mbrëmjes serbët kishin dalë për të protestuar dhe sulmonin shqiptarët me armë të ndryshme e granata dore. Në mbrëmjen e 4 shkurtit numërohen 10 shqiptarë të vdekur dhe qindra të lënduar nga sulmet e një nate më parë, u shpreh Drevinja.
Pas saj, fjalën e mori Halit Baranit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë.
Ai foli në detaje për krimet që kanë kryer serbët në atë pjesë të Kosovës, pjesën më të madhe të të cilave i ka vetë të dokumentuara me fotografi e incizime.
Më 2 shkurt të vitit 2000, nga Serbia erdhën 3 autobusë të mbushur me kriminel serb civil. Ata u shpërndanë në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, në lagjet që ishin të banuara me shqiptarë. Evidentuan secilën banesë dhe secilën shtëpi ku jetonin shqiptarët.
Natën e 3 shkurtit, diku rreth orës 19:30, filluan aksionin duke hyrë nëpër banesat dhe shtëpitë e shqiptarëve, duke i rrahur, torturuar dhe pushkatuar brenda shtëpive të tyre shqiptarët që jetonin në atë pjesë. Që nga ai momenti, e deri të nesërmen, u pushkatuan 10 shqiptarë pa dallim moshe e gjinie duke filluar nga fëmija 13 vjeçar e deri tek plaka 65 vjeçare. U plagosën 25 tjerë.
U torturuan në mënyrën më barbare 93 shqiptarë të tjerë përderisa 11.364 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të gjitha këto u bënë para syve të paqeruajtësve nga KFOR-i francez dhe policisë së UNMIK-ut, të cilët nuk reaguan fare madje, madje u dilnin në ndihmë kriminelëve serb. KMDLNJ në Mitrovicë ka bërë denoncime edhe për krimet që kanë kryer vetë ushtarët francez para kësaj date, theksoi Barani.
Ai shtoi se shqiptarët e pjesës veriore nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre nga ushtarët francez të KFOR-it, me pretekstin se andej është Serbi.
Duke folur për trazirat e marsit të vitit 2004, Barani tha se, prapë në prani të ushtarëve të KFOR-it francez, u pushkatuan 4 shqiptarë, u plagosën rreth 100 shqiptarë, dhe deri më tani asnjë serb nuk ka dal para drejtësisë që të përgjigjet për këto krime.
Nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Shpend Ahmeti, theksoi se ngjarjet e asaj kohe ishin të organizuara nga vetë qeveria serbe, qeveri kjo me të cilën sot po negociohet pikërisht për atë pjesë të territorit të Kosovës.
Ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kanë pasoja direkte në atë që po ndodh sot në veri të Kosovës. Ai sulm i 3-4 shkurtit nuk ndodhi rastësisht. Ishte sulm i organizuar dhe i orkestruar tepër mirë nga ana e forcave serbe. Edhe ish ambasadori amerikan Hollbrook pati thënë se në këtë aksion ishte e inkuadruar direkt qeveria serbe. Në atë kohë në Serbi ishte koalicioni i SPS-it me Partinë Radikale Serbe, koalicion që u bë në vitin 1999 dhe u rikthye në vitin 2012. Serbia e sotme është Serbia e atëhershme. Me Ivica Daçiçin, Tomislav Nikoliçin e Aleksandër Vuçiçin, që ishin në pushtet edhe atëherë dhe janë pjesë e krimeve të atëhershme, po negociohet sot për Kosovën dhe për veriun. Mes Daçiçit dhe Thaçit po diskutohet për veriun e Kosovës.
Gjendja faktike e veriut në të cilën bazohen negociatat mes Thaçit dhe Daçiçit, se në veri janë shumicë serbët, është si rezultat i këtij spastrimi etnik të asaj pjese të Kosovës pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. Për këtë arsye, ata duan ti japin autonomi veriut. Autonomia e bazuar në krim, nuk mund të jetë zgjidhje për atë pjesë të territorit të Kosovës, tha ndër të tjera Ahmeti.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës, Hysni Syla, foli për vendosmërinë e shqiptarëve të pjesës veriore për tu kthyer në pronat e tyre, si dhe pengimin që iu bo të njëjtëve nga ana e KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut.
Ai theksoi se gjatë bombardimeve ta NATO-s, ekstremistët serb dëbuan me dhunë të gjithë shqiptarët që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës. Të gjitha shtëpitë e shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, Suhadoll, Vidimiriq, Gushafc, Vinarc e Çabër, disa në Kodrën e Minatorëve dhe në Lagjen e Boshnjakëve, u dogjën deri në themel.
Kriminelët serb, të drejtuar nga liderët e tyre ekstremistë tashmë të njohur e që ishin në kontakt me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, duke parë se shqiptarët nuk po heqin dorë nga pronat e tyre, natën mes 3-4 shkurtit organizuan aksionin më të llahtarshëm dhe më mizor të përndjekjes së dhunshme të shqiptarëve. Në prani të KFOR-it dhe policisë së UNMIK-ut, u vranë në mënyrën më mizore shqiptarët nëpër pronat e tyre. Shumë prej banorëve të asaj pjese u dëbuan, tha Syla.
Në vazhdim pati fjalë rasti edhe nga të pranishmi të sallë, një pjesë e të cilëve ishin edhe dëshmitarë, familjarë të viktimave të natës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, të keqtrajtuar e të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Ndër të tjerë folën Hysen Murtezai, Gani Xhaka, Ilir Deda, Selatin Kaçaniku, Agim Mripa, etj.
Me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të lumit Ibër u ekzekutuan Bashkim Rrukeci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Selime Berisha, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Sebaha Abrashi, Nexhmije Xhaka dhe Niman Sejdiu.
Ekzekutorët sipas dëshmitarëve okular ishin Oliver Ivanociq, Dragan Delibashiq, Milodrag Raliq, Pagi Joviq, Zoran Dediq, Rela Martinoviq, Zoran Kostiq, Sasha Saviq, Ivan Mandiq, Dragan Shilkoviq, Dushko Shilkoviq, e shumë të tjerë.
Tryeza u mbyll me ekspozitën e përbërë nga fotografi dhe video të përgatitura nga Halit Barani dhe autorë të tjerë, si dhe përmbledhjen e shtypit të kohës.