10.7% e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç janë të angazhuar në punë
Prishtinë, 13 qershor - Me rastin e ditës ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, e cila u shënua dje me 12 qershor, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF thekson edhe një herë rëndësinë e madhe të luftimit të këtij fenomeni dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ai ka në mirëqenien e fëmijëve.
Në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7%, ndërkohë që 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme .
Marrë parasysh këtë, shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë. Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqeve për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.
KOMF vlerëson punën e bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së fëmijëve .
Megjithatë, KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në nivel komunal në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.
KOMF kërkon vëmendjen e kryetarëve të komunave për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.
Format e Rrezikshme të Punës së Fëmijëve - janë punë që mund të rezultojnë me vdekje, lëndime (shpeshherë permanente) apo sëmundje (shpeshherë permanente) të fëmijëve, si pasojë e mospërshtatjes së natyrës së punës me moshën dhe zhvillimin psikofizik të fëmijës dhe sigurisë së pamjaftueshme në vendin e punës.
Aktivitetet e përgjithshme për ndalim të menjëhershëm për fëmijët deri në moshën 18 vjeç përfshijnë: 1) Puna e natës, e cila sipas UA nr. 01/2012 ndalon punën e të rinjve prej orës 22 deri në 6 të mëngjesit. 2) Ngritja dhe bartja e kohëpaskohshme e peshave të rënda mbi 15 kg (M) dhe 10 kg (F); 3) Ngritja dhe bartja e vazhdueshme e peshave mbi 10 kg (M) dhe 5 kg (F); 5) Puna në thellësi, nën sipërfaqe të tokës, nën ujë dhe vende të mbyllura; 6) Puna në lartësi mbi 2 m; 7) Ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme të larta apo të ulëta, ndaj zhurmës dhe dridhjes; 8) Ekspozimi ndaj substancave toksike: 10) Ekspozimi ndaj radioaktivitetit; 11) Ekspozimi ndaj substancave kancerogjene, pluhurit dhe gazrave.
Sektorët për ndalim të menjëhershëm për fëmijët deri në moshën 18 vjeç: 1) Bujqësia; 2) Puna në ujitje; 3) Operimi me makina bujqësore; 4) Puna me pesticide dhe spërkatja; 5) Korrjet; 6) Punë të rënda fizike në fusha dhe hapja e gropave për pyllëzim ose mbjellje të pemëve; 7) Hapja e puseve, kanaleve; 8) Prerja e drunjëve dhe përpunimi i drurit; 9 ) Puna në thertore dhe në industrinë e përpunimit të mishit; 10) Gjuetia/ peshkimi etj.
Ndalohet Puna në rrugë; bartja e peshave të rënda; pastrimi i parafrangove të automjeteve në komunikacion; kërkimi i lëmoshës; shitja e gjësendeve ushqimore, duhanit, etj.
Ndalohet Puna në ndërtimtari, puna në deponi të mbeturinave, hulumtimi, grumbullimi dhe bartja e mbeturinave; puna në eksploatimin e pasurive natyrore, përfshirë: gërmimet sipërfaqësore të thëngjillit, rërës dhe gurëve, eksploatimi i thëngjillit, rërës dhe gurëve.