10.000 dollare per idete kreative
Prishtinë, 25 mars - Forumi për Iniciativa Qytetare organizon për herë të katërt, konkursin kombëtar për Biznes Plane Të gjelbërta dhe Inovative 2015.
Ky projekt synon të identifikojë ndërmarrës të rinj në Kosovë të cilëve i ofron mbështetje financiare fillestare në vlerë prej 10,000 USD nga donatorë dhe filantropistë për idetë e tyre të biznesit.
Objektivi kryesor i këtij projekti është identifikimi dhe mbështetja e biznes planeve që kanë potencial të lartë për sukses, ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në zhvillimet sociale, mjedisore dhe ekonomike të një komuniteti të veçantë, apo një grupi më të gjerë komuniteti, me synimin final të realizimit të një zhvillimi të qëndrueshëm të biznesit në vend.
Një ndër sfidat më të mëdha për ekonomitë e sotme mbetet gjetja e formave të reja të organizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e impaktit negativ në mjedis duke realizuar për rrjedhojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve.
Në këtë kuadër gjykohet se, idetë e gjelbëra mund të luajnë një rol pozitiv në motivimin, identifikimin dhe mobilizimin e burimeve me qëllim adresimin në mënyrë strategjike të çështjeve që kanë të bëjnë me përtëritjen e mënyrave tradicionale të prodhimit dhe zhvillimin e tregjeve lokale.
Kriteret e përzgjedhjes për konkursin Biznes Plane Të gjelbërta dhe Inovative 2015 janë projektuar për të nxjerrë në pah idetë, që do të kenë një ndikim të rëndësishëm social, mjedisor dhe ekonomik, të cilat do të mbështeten në burimet vendore dhe do të tregojnë potencial për një zhvillim të qëndrueshëm.
Biznes planet duhet ti përshtaten kritereve të mëposhtme:
Idea duhet të jetë në fazë embrionale, apo diçka që sapo ka filluar.
Të jetë krejtësisht e bazuar në burime lokale.
Të ketë një plan të detajuar, apo të jetë ide e detajuar e të qenurit miqësor me mjedisin.
Të ofrojë mundësi punësimi për njerëzit në nivel lokal.
Të përfshijë një strategji për rritje sistematike.
Individët, apo biznesi duhet ta ketë vlerësuar tregun lokal, të njohë konkurrentët dhe përparësitë krahasuese.
Plan biznesi duhet të mbështesë dhe nxisë rigjallërimin e ekonomisë tradicionale lokale dhe lidhjen e njerëzve me këtë ekonomi.
Idea duhet të jetë unike dhe të mos ketë mbështetje monetare nga qeveria lokale, qendrore apo agjensionet ndërkombëtare zhvillimore.
Të gjithë të interesuarit për aplikim duhet të plotësojnë formularin elektronik në linkun: idebiznesi.fiq-fci.org deri më 23 Prill 2015.
Paneli përzgjedhës do të jetë i përbërë prej 7 (shtatë) anëtarëve nga fusha të ndryshme profesionale. Përgjegjësia parësore e tyre do të jetë shqyrtimi i gjithë aplikacioneve dhe përzgjedhja e 10 planeve të biznesit si pjesë e fazës së parë. Faza e dytë e punës së panelit përzgjedhës është të bëjë përzgjedhjen finale të 3 (tre) biznes planeve më të mira.
Komisioni Përzgjedhës do të përzgjedhë 3 (tre) idetë/planet më të mira të cilat do të konkurrojnë në forumin Zhvillimi i Filantropisë në Ballkanin Perëndimor 2015, konkurs rajonal i organizuar nga Fondacioni i Vëllezërve Rockefeller në Korrik 2015.