100 euro gjobë për personat që ndezin goma
Prishtinë, 30 prill - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve 1 Maj.
Përmes një komunikate për media, Ministria shpejgon se ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësishtë djegien e gomave dhe se me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.
Me 100 euro gjobë dënohet personi që djegë goma të automjeteve, ose mbeturina tjera prej gome, në hapësirat private, publike, në rrugë, ose natyrë. Djegë mbeturina të ndryshme prej letre në hapësirat publike, në rrugë, ose natyrë, thuhet në shpjegimin e MMPH-së, e cila i referohet një udhëzimi administrativ që parasheh ndarjen e gjobave.
Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
MMPH tërheq vërejtjen se dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.
Ministria e Mjedisit bën me dije se janë angazhuar inspektorët, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre, do të dënohet, thuhet ndër të tjera në kumtesën e Ministrisë.