16 Nëntor 2024

1 Maji - thirrje për solidaritet e organizim sindikal

Prishtinë, 1 maj - Konfederata e Sindikatave duhet reformuar rrënjësisht e solidariteti mes sindikatave në presionin ndaj Qeverisë duhet shtuar - ky ishte emëruesi i përbashkët i tryezës së sotme të organizuar nga Komiteti për Mbrojtje Sociale i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe organizata gjermane Friedrich Ebert Stiftung (FES), zyra në Prishtinë.
 
Përfaqësuesja e FES, Besa Luzha, theksoi rëndësinë e organizimit sindikal si një mekanizëm për t’i mbrojtur dhe fuqizuar të drejtat e punëtorëve. Ajo përmendi edhe mungesën e sindikatave në sektorin privat.  “Përvoja e shumë vendeve tregon se sindikatat gjithmonë bëhen partner me subjektet politike të spektrit të majtë, apo të qendrës së majtë, dhe bëhen koalicion i natyrshëm i shtyrjes përpara të kërkesave dhe axhendës së përbashkët për një shtet më social”, tha Luzha gjatë fjalës së saj për gjendjen e të punësuarve por edhe të të papunëve. Ajo shtoi se do të shikohen mundësitë që se bashkë me sindikatat, me FES dhe me Lëvizjen VETËVENDOSJE! të punojmë për një gjendje më të mirë të punëtorëve në çdo sektor. Znj. Luzha foli edhe për nevojën e protestave më kauzën e të drejtave të punëtorëve.
 
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Haxhi Arifi tha se nxjerrja e ligjeve ka qenë gjysma e punës që duhet bërë në rrafshin e të drejtave të punëtorëve. “Gjysma tjetër e punës, mbetet zbatimi i këtyre ligjeve”. Ndërkaq, sa u përket protestave tha se duhet punuar më shumë në vetëdijësimin e punëtorëve për nevojën e tyre për ata që kërkojnë vende pune dhe ata që kërkojnë të mbrohen të drejtat e tyre në vendin e punës. Edhe pse të gjithë Sindikalistët që morën fjalën në diskutime kritikuan tepër ashpër pikërisht kreun dhe drejtuesit e BSPK-së. Ata më së shumti thanë se kruesit e sindikatave janë përgjithësisht në aleancë me pushtetin në vend se të jenë me punëtorët. Dhe kjo e ka dobësuar plotësisht autoritetin e tyre tek punëtorët e sektorit që mbulojnë.
 
Drejtuesi i Komiteti për Mbrojtje sociale, Faton Topalli tha midis të tjerash për dëmin që shkakton ekonomia joformale në gjendjen e punëtorëve. Orët e zgjatura të punës, kushtet e rënda, moskompensimi i orëve shtesë, moskompensimi i pushimit të lehonisë, mohimi i pushimit vjetor, dallimi i pagave mes grave e burrave referuar dhe shkallës së varfërisë tregojnë për një marrëdhënie skllavëruese në vend të një kontrate pune. Sipas tij, punëtori i di të drejtat e veta por detyrohet të punojë në kushte të rënda për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
 
Gjatë tryezës u paraqitën dhe fakte nga monitorimi i zbatimit të ligjit të punës ku Kushtrim Shaipi nga Projekti për Mbështetjen e partnerëve socialë renditi masat konkrete për realizimin e të drejtave të punëtorëve. Gjatë prezantimit të hulumtimit u tha se ka mungesë totale të mbrojtjes në punës qoftë në vendin e punës, qoftë në nivel të sektorit dhe në nivel kombëtar.
 
Visar Ymeri, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s vuri theksin tek kundërthëniet mes interesave të punëtorëve dhe atyre që zotërojnë kapitalin. Sipas tij, në Kosovë nuk kanë munguar protestat e punëtorëve, duke numëruar për këtë një mori rastesh, por mungon solidariteti mes sindikatave. Këto të fundit, po të vepronin të koordinuara mes njëra-tjetrës, shumë më lehtë do të realizonin mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Ai paraqiti në detaje propozimet për mbrojtjen e punëtorëve dhe organizimin sindikal të parashikuara në shtyllën e tretë të Alternativës Qeverisëse ku Lëvizja VETËVENDOSJE! midis të tjerash përfshin orarin e shkurtuar javor të punës, zgjatjen e pushimit të lehonisë, stimulimi dhe detyrimin e kompanive për të ngritur sindikatat në ato sektorë ku nuk janë krijuar, kontratën kolektive, kushtet dhe mbrojtja në vendin e punës, formimin e Gjykatës së punës dhe themelimin e këshilla social në çdo organizatë biznesore qoftë publike e private. 

Ky takim do të pasohet nga të tjerë ku do të diskutohet për organizimin dhe mbështetjen e sindikatave të vendin tonë.

Në javët e ardhshme Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do t\'i paraqesë këto të dhëna që u diskutuan sot në debat parlamentar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)