1 Maji i gjen punëtorët në Kosovë të shfrytëzuar e të shtypur
Prshtinë, 30 prill - Partia Socialdemokrate (PSD) ka bërë të ditur se mbështet protestën e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
"Duhet vlerësuar si zhvillim pozitiv që në Kosovë po tejkalohet tradita real-socialiste e trajtimit të kësaj date."
"Traditë kjo që nën pretendimin e triumfit mbi pushtetin e kapitalit dhe zhdukjen e punës skllavëruese, organizonte festa në formë spektaklesh masive e uniforme", thekson PSD.
PSD konsideron se 1 Maji - Dita ndërkombëtare e punëtorëve i gjen punëtorët në Kosovë të shfrytëzuar e të shtypur.
"Ata janë më të keqpaguarit e më të keqtrajtuarit. Paga minimale është më e ulëta në rajon, sigurimet shëndetësore mungojnë, kurse siguria në punë është nën çdo normë të lejueshme", vlerëson me tutje PSD.
Shkalla e lartë e papunësisë sipas PSD-së i ka bërë të papunët armë shantazhi kundër organizimit të punëtorëve.
Radha e gjatë e punëtorëve jashtë marrëdhënieve të punës ndikon në vet marrëdhëniet e punës duke displinuar punëtorët.
Në anën tjetër, aty ku më se shumti duhet organizimi sindikal, në sektorin privat, në ndërtimtari e shërbime, ai mungon.
"Në Kosovë, dialogu trepalësh minohet e sabotohet vazhdimisht. Vetë Qeveria e saboton dhe e shpërfillë Këshillin Ekonomiko-Social."
"Shteti në Kosovë nuk është arbiter që kujdeset për ta paqtuar kontradiktën midis punës e kapitalit, duke qëndruar herë mbi palët, herë midis tyre."
"Ai shërben, pa pra e pa ekuivoke. Është në anën e tyre. Punëtorët e kanë njëri-tjetrin, bashkimin-solidaritetin", konsideron në fund PSD.