Presidentja Jahjaga priti në takim lamtumirës Farid Zarif
Prishtinë, 26 gusht - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim lamtumirës përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Farid Zarif.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën e Zarif dhe angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë dhe e përgëzoi për detyrën e re.
Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin e OKB-së dhe angazhimin e organizatës botërore në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit e mirëkuptimit kudo në botë dhe angazhimin e saj në zgjidhjen e situatave të krizës.
Duke folur për të arriturat e Kosovës, presidentja Jahjaga tha se vendi po konsolidohet ndërkombëtarisht dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në OKB.
Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, Farid Zarif e falënderoi Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin dhe çmoi lart lidershipin e saj dhe rolin që ka luajtur si faktor uniteti në vend.
Ai i vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për punën e institucioneve dhe për popullin e Kosovës.