LDK mbështetë kandidatin e AKR-së për Kryetar të Mitrovicës
Mitrovicë, 8 nëntor - Në një konferencë për media, Dega e Aleancës Kosova e Re në Mitrovicë, ka nënshkruar sot marrëveshje koalicioni me Degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila mbështetë kandidatin e AKR-së për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për balotazhin e 1 dhjetorit në këtë qytet.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kandidati i Aleancës Kosova e Re për Kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ftuar të gjithë ata të cilët dëshirojnë ndryshime për Mitrovicën, që ti bashkëngjiten për fitore.
I kemi kalkuluar dhe harmonizuar të gjitha programet, unë pres nga të gjithë ata që e duan ardhmërinë e Mitrovicës, të më bashkohen, ka thënë Bahtiri, duke theksuar se programi i përbashkët AKR-së dhe LDK-së është më i miri.
Ndërsa, Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Sadri Ferati, ka thënë se, me mbështetjen e LDK-së, Agim Bahtiri do të jetë Kryetari i ardhshëm i Mitrovicës.