Nënshkruhet projekti për modulin e ri të hartave kadastrale
Prishtinë, 7 mars - Me qëllim të ngritjes së kualitetit të informacioneve kadastrale në territorin e Republikës së Kosovës, sot në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) është nënshkruar kontrata për implementimin e projektit për krijimin e modulit të ri të Hartave Kadastrale, harta këto që do të jenë në pajtim me avancimet teknologjike bashkëkohore në fushën e menaxhimit të tokës.
Aktualisht pronat e paluajtshme në Republikën e Kosovës mirëmbahen përmes dy bazave, bazës tekstuale ku qëndrojnë informacione ligjore mbi pronën e paluajsthme (të drejtat mbi pronën, titullarin e pronës, etj) dhe bazës grafike (harta) që përmban informacionet gjeografike mbi pronën e paluajtshme.
Përmes projektit për modulin e ri të hartave kadastrale mundësohet integrimi i të dyja këtyre bazave (asaj tekstuale dhe asaj grafike) në një bazë të vetme e cila do ti përmbajë si të dhënat ligjore po ashtu edhe ato gjeografike mbi pronën e paluajtshme.
Kjo njëherësh mundëson harmonizim e bazës grafike dhe tekstuale, lehtëson kërkimin dhe identifikimin e pronës së paluajtshme, si dhe prezantimin më të mirë dhe me informacione më të detajizuara dhe më gjithëpërfshirëse për pronat t paluajshtme në Republikën e Kosovës.
Projekti do të implementohet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, ndërsa financues i projektit është Autoriteti Norvegjez për Hartografi Staten Kartverk.