25 Dhjetor 2024

Hague: Dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të jetë i pafund

Prishtinë, 25 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague me të cilin mbajti edhe një konferencën për media.

Sekretari Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague ka përshëndetur vendimin e BE-së për hapjen e dialogut për stabilizim asociimit me Kosovën.

Hague, theksoi se dialogu në mes të Kosovës e Serbisë nuk duhet të jetë i pafund, por se duhet të arrihet përparim në të gjitha fazat e procesit që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja palëve.

Ai tha se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe për iniciativën e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Ky nuk është një dialog i pafund që mund të vazhdojë përgjithmonë. Është me rëndësi që të bëhet një lloj përparimi i vazhdueshëm në të gjitha fazat; këtë e diskutuam edhe me kryeministrin. Në fazën e parë baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të kërkojnë interesin e të dyja palëve dhe shpresojmë se do të vazhdojmë”, u shpreh Hague.

Ai tha se Kosova ka bërë hapa impresivë në katër vitet e fundit prej shpalljes së pavarësisë. Por, tani, Kosova duhet të bëjë përparim me të njëjtat kushte dhe të trajtohet njëjtë si çdo vend tjetër në Ballkanin perëndimor, tha sekretari britanik.
 
Pa dashur të komentojë nëse qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, diplomati britanik foli për vizionin e Londrës që, një ditë, në tryezën ku do të jenë të ulur përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, të gjenden edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk dua të parashikoj sot se në cilën pikë do të arrihet qëllimi përfundimtar. Mendoj se është mjaft e qartë se duam t’i shohim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian - të ulur në një tavolinë. Shpresoj se do ta shoh këtë një ditë: të gjithë të ulur në një tavolinë në Bruksel apo Luksemburg duke e përshëndetur njëri-tjetrin si partnerë të barabartë me marrëdhënie tërësisht normale ndërmjet vete. Kjo duhet të jetë ambicia”, theksoi ai.

Hague tha se Serbisë i është bërë e qartë se ka përfunduar harta për Evropën Juglindore.

"Gjithmonë kemi qenë të qartë me Serbinë se çfarë kërkohet në çdo fazë. Kemi qenë të qartë edhe për kushtet që Serbia të jetë kandidat për anëtarësim në BE. Personalisht kam qenë në Beograd bashkë me kolegun tim gjerman, dhe kam thënë se harta ka përfunduar në Evropën Juglindore. Nëse dëshironi të jeni kandidat për anëtarësim në BE, duhet t’i përgjigjen ftesës për dialog me Kosovën", theksoi Hague.

Ndërkaq Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë është në interesin e gjithë rajonit, jo vetëm të dy shteteve tona dhe të dy popujve tanë, por edhe në interesin e investimeve të Bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon.

“Kosova është gati për të vazhduar këtë proces. Është ndërtuar një konsensus i gjerë politik në Kosovë, shumë-partiak e gjithë-etnik. Është jashtëzakonisht me rëndësi për ne që edhe bota demokratike - Bashkimi Evropian është unik dhe mbështetës për iniciativat e baroneshës Ashton”, u shpreh ai.

Megjithatë, as Thaçi nuk dha afat për mundësinë kur Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës, por theksoi se qëllimi i procesit të nisur në javën e kaluar duhet të jetë njohja nga pesë vendet evropiane që hezitojnë ta njohin Kosovën dhe anëtarësimi i vendit në OKB.

“Ka filluar një proces evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Pra, nuk duhet të presim në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe anasjelltas, por presim sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën. Ky relacion evropian Kosovë-Serbi do të rezultojë me pesë njohje të shteteve të Bashkimit Evropian për shtetin e Kosovës dhe duhet të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)