30 Nëntor 2024

Tracey Ann Jacobson ia dorëzoi Jahjages letrat kredenciale

Prishtinë, 16 gusht - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson me ç'rast, ambasadorja Jacobson ia dorëzoi Presidentes Jahjaga letrat kredenciale.

Presidentja Jahjaga me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale ka theksuar se se zonja Ann Jakobson do të vazhdojë punën e mirë që e bënë të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Për Republikën e Kosovës zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas Jahjages është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të barabartë, pa dallim.

Ajo ka thënë se përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet lartë nga populli ynë në rrugën tonë të çlirimit, të pavarësimit dhe të shtet ndërtimit, si zgjidhje e drejtë që sot Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur me sovranitetin dhe integritetin e garantuar është faktor paqeje dhe stabiliteti që zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me shumë shtete të cilat tashmë e kanë njohur pavarësinë e vendit. 

"Edhe me këtë rast dëshiroj të theksoj se Republika e Kosovës si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë pa dalim përkatësie etnike e fetare është e sigurt në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe Bashkimi Evropian po jep një kontribut shumë të rëndësishëm që vendi ynë t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe t’i arrijë të gjitha standardet që me sukses të kapërcejë të gjitha fazat deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO", ka pohuar Jahjaga.


Ambasadorja Jacobson shprehur bindjen se me një bashkëpunim dhe me një partneritet autoritete e Kosovës do të çojnë përpara proceset në Kosovë.

Ambasadorja Jacobson me këtë rast vlerësoi se Kosova ka arritur përparime të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë së saj.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë Kosovën një vend mik. Kosova ka arritur përparime të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë së saj”, ka thënë me këtë rast, ambasadorja amerikane.

“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatshme, stabile e demokratike”, ka theksuar Jacobson.

Gjatë kohës së shkurtër në Kosovë, ajo tha se ka vërejtur shumë përparime pozitive.

Para se të vijë në Kosovë, zonja Jacobson si ambasadore ka shërbyer në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.

Ajo është një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik dhe se së fundmi ka shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Jacobson ka shërbyer gjithashtu si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Moskë të Rusisë, e të tjera.

Ajo ka mësuar gjuhët shqipe, serbe, franceze, ruse, spanjolle, koreane, dhe taxhike.

Është e martuar me Dejvid Bau, pjesëtar i shërbimit diplomatik britanik.

Jacobson zëvendëson ambasadorin e deritashëm, Kristofer Dell.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)