Qendra e Studentëve këtë vit do të pranojë 3150 studentë
Prishtinë, 2 shtator - Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), do shpallë të hënën konkursin për pranimin e studentëve në konvikte për vitin akademik 2011/2012.
Gjatë këtij viti QS do të pranojë 3150 studentë, për të cilët ofron strehimin dhe ushqimin si dhe aktivitetet tjera në hapësirat për lexim/studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.
Edhe këtë vit, përparësi pranimi do të kenë studentët që vijnë nga kategoritë e ndryshme të luftës dhe kategoritë tjera me gjendje të rëndë sociale, të cilët poashtu do të lirohen nga pagesa.
Ndërsa, duke qenë se Kosova tashmë ka një numër të madh të studentëve dhe kapacitetet e QS-së nuk mund ti mbulojnë të gjitha kërkesat, janë vendosur kriteret për pranim.
Kriter themelor për të aplikuar është që kandidati të jetë student i rregullt në UP, ndërsa kritere tjera tashmë të vendosura janë: nota mesatare e studentëve, largësia nga kryeqyteti,etj.
Edhe gjatë këtij viti, çmimi do të jetë i njëjtë, sikur edhe vitin e kaluar, pra 70 euro (40 banimi dhe 30 ushqimi).
Tashmë janë në përfundim përgatitjet për pritjen e banorëve të rinj të Qendrës. Në kuadër të këtyre përgatitjeve është bërë termoizolimi i jashtëm i konvikteve, gëleqerosja e brendshme, vendosja e paneleve solare për ujë të ngrohtë, riparimi i pajisjeve të ventilimit dhe nxemjes në Mensën e studentëve, si dhe meremetimet e tjera të nevojshme.
Qëllimi i vendosjes së paneleve solare është që të përmirësohet gjendja me ujë të ngrohë higjienik për studentë, prandaj presim që këtë vit të ketë përmirësime në këtë drejtim.
Tashmë, Qendra e Studentëve ofron shërbim të internetit me wi-fi në tërë hapësirën e qendrës.
Gjatë këtij viti, cilësia e shërbimeve në QS do të jetë edhe më kualitative se vitet e kaluara dhe vlerësojmë se dalngadalë po krijohen kushte komode për studentë, sepse tashmë ofrohen shumë shërbime që janë në interes të tyre dhe e bëjnë më të lehtë dhe më atraktive jetën studentore.