Thaçi: Zgjedhjet e 1 dhjetor, fitore për shtetin e Kosovës
Prishtinë, 3 dhjetor - Në hapje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka uruar spektrin politik dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për suksesin e organizimit të zgjedhjeve të raundit të dytë me 1 dhjetor, të një standardi të lartë.
Mendoj se kjo është një fitore e të gjithëve, është një fitore për shtetin e Kosovës në procesin e konsolidimit dhe shtet ndërtimit, por edhe të zhvillimit dhe forcimit të demokracisë. Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë, është një sukses tjetër i rëndësishëm për shtetin tonë, për shoqërinë tonë, për institucionet tona në nivel qendror dhe lokal.
\"Më lejoni që të falënderoj edhe monitoruesit ndërkombëtar, të cilët ju përgjigjën thirrjes sonë që të jenë prezent në Kosovë; falënderoj Policinë e Kosovës, EULEX-in, KFOR-in, gjithë mekanizmin ndërkombëtar prezent në Kosovë për mbështetje të fuqishme, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë kontribuuesit për një proces të mirë, të suksesshëm, mund të them të përmasave të papara edhe për rajonin tonë.
\"E përsëris, merita më e madhe është e vetë qytetarëve dhe një ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi të lartë të skenës politike kosovare, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.