Mbahet takimi i parë i grupit punues Kosovë - Këshilli i Evropës
Prishtinë, 18 nëntor Të hënën në Prishtinë është zhvilluar takimi i parë i grupit punues të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Evropës (KE).
Qeveria e Kosovës, përkatësisht MPJ, në këtë takim është përfaqësuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi, ndërkaq, delegacioni i Këshillit të Evropës është kryesuar nga Matjaz Gruden, zëvendësdrejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Thorbjørn Jagland. Në takim kanë marrë pjesë edhe ministritë e linjës, të përfaqësuar nga sekretarët e përgjithshëm të MKRS-së, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Integrimeve Evropiane.
Pas takimit, Selimi dhe Gruden dhanë nga një deklaratë për medie ku e vlerësuan lartë rëndësinë e këtij takimi.
Zëvendësministri Selimi tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse për herë të parë ka koordinim të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm Jagland si dhe ministrive të linjës të Qeverisë së Kosovës.
Selimi theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte implementimi i përbashkët i projekteve që kanë të bëjnë me përmbushjen e standardeve dhe reformave të nevojshme të Kosovës, që janë në lidhshmëri në përmbushjen e standardeve të MSA-së dhe me procesin e anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ky është fillimi formal i një procesi të rritjes së ndërveprimit direkt ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Evropës, tha zëvendësministri Selimi, duke shtuar se Kosova tani pret edhe vizitat monitoruese konform metodologjisë standarde të KE-së.
Ndërkaq, Matjaz Gruden, zëvendësdrejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së, Thorbjørn Jagland, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në këtë takim të grupit punues që ka të bëjë me aktivitetet e KE-së dhe bashkëpunimin rreth fuqizimit të standardeve të KE-së në fushën e sundimit te ligjit dhe lirive dhe të drejtave te njeriut.
Ky është takimi i parë ndonjëherë në këtë format formal. Në këtë takim patëm mundësinë që ti paraqesim ndryshimet pozitive që janë arritur gjatë viteve të fundit. Zyra e KE-së në Kosovë është zyra e dytë më e madhe që e kemi ndokund tjetër në Evropë, dhe mendoj se kjo është një ilustrim i rëndësisë që KE i jep bashkëpunimit këtu, tha Gruden.