Faton Topalli, kandidat i Vetëvendosje! për Ferizaj

Prishtinë, 29 korrik - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Ferizaj mbajti konferencë për media me çrast shpalli Kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje! për Kryetar të Komunës së Ferizajt, i cili është zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë.
Bardhyl Abazi, nga Komisioni Zgjedhor ad hoc të Qendrës tha se gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi.
Rezultatet paraprake janë shpallur ditën e shtunë në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje! këtu në Ferizaj. Kemi pritur 24 orë dhe pranë Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë.\"
\"Në fund ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores për zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!. Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidatin për kryetar komune në Ferizaj, Faton Topalli, i çili ka fituar 98.00 % të votave, theksoi Abazi.
Pas tij, fjala ishte për kandidatin për Kryetar të Komunës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Faton Topalli, i çili falënderoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, për besimin që ia dhanë.
Duke folur për Ferizajn, Topalli theksoi se mungesa e demokracisë dhe vullnetit për ta ndërtuar shtetin, ka bërë qe komuna e Ferizajt të jetë njëra prej komunave më të varfra në Kosovë.
Sot në rajonin e Ferizajt jetojnë rreth 14.700 qytetarë me ndihma sociale me 49, respektivisht 34 cent në ditë. 91% e grave dhe 90 % e të rinjve janë të pa punë. Gati çdo qytetar që punon, qoftë në sektorin privat, çoftë në atë shoqëror është i mbytur në borxhe.\"
\"Karshi varfërisë, që është pasojë e shkatërrimit ekonomik të vendit, nuk kemi asnjë shërbim në kompetencat e komunës që kënaq për së afërmi nevojat e qytetarëve.\"
\"Kjo fillon me shërbimet shëndetësore, vazhdon me ato administrative e përfundon me shërbimet elementare si sigurimi i ujit, pastërtisë dhe kanalizimit edhe pse investimet më të mëdha janë bërë pikërisht në infrastrukturë, tha Topalli, duke shtuar se Ferizaj, prej një qendre industriale në kushtet e okupimit, si pasojë e u kthye në një qendër banimi ku nuk ka punë, nuk ka investime, nuk ka zhvillim ekonomik.
Ai foli për alternativën qeverisëse të Lëvizjes VETËENDOSJE! për Ferizajn, që përmblidhet në tri shtylla kryesore: Zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve; reformimi i administratës; dhe ngritja e nivelit të solidaritetit me shtresat më të goditura të shoqërisë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, para të pranishmëve dhe mediave uroi Topalli për obligimet e marra nga aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Ferizaj.
Faton Topalli është veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare i çili nuk është lodhur asnjëherë, qoftë në legalitet apo ilegalitet, qoftë në organizimin e shqiptarëve në Kosovës apo në organizimin e mërgatës shqiptarë në Zvicër. Aktivitetin e tij e ka nisur qysh herët në rini. Në vitin 81, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë ishte i organizuara në demonstratat e famshme të asaj kohe.\"
\"Ky përveç veprimtar, është edhe studiues. Në Zvicër Faton Topalli ka vijuar studimet në fushën e shkencave sociale. Është magjistër i shkencave sociale dhe që prej vitit 2007 është edhe ligjërues i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Sociale në Zürich, tha Kurti, përderisa po fliste për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Ferizajt,
Ai shtoi se Fatoni nuk e trajton Ferizajn si vend transit Prishtinë-Shkup, por si komunë ndër më të mëdhatë në Kosovë që ka pasuri e potencial për zhvillim, që ka shumë njerëz të ndershëm e punëtorë, patriotë e të devotshëm.
Duke folur për Ferizajn, Kurti tha se kjo komunë është vendi i patriotëve, me 62 dëshmorë vetëm në luftërat e fundit. Për sa i përket mungesës së zhvillimit ekonomik në këtë komunë, Kurti shtoi se \"Ferizaj që i ka dhënë aq shumë Kosovës, në anën tjetër është dënuar me moszhvillim për shkak se në vend të zhvillimit që sjellë punësim e mirëqenie, kemi pas privatizimi të fabrikave të shumta. Ndër to janë: Fabrika e gypave të çelikut, Fabrika e vajit, Kombinati i drurit, Fabrika për përpunimin e frutave ekzotike, Vegëltorja, etj.
Ferizaj është shndërruar nga një vend me prodhim, në një vend me tregti. Është i domosdoshëm që ky raport të ndryshojë, që Ferizaj të bëhet vend i prodhimit, e jo vetëm i konsumit. Ferizaj kishte me qindra hektarë plantacione pemësh, por tash janë anashkaluar e nuk ndihmohen as nga institucionet e shtetit dhe as nga institucionet lokale, tha në fund Kurti.
Fitorja e Faton Topallit nuk do të jetë thjeshtë fitore e tij, as fitore e Vetëvendosje!-s, por do të jetë fitore e qytetit të Ferizajt.