Fluidi nga Gjilani, është shpallur Top Eksportuesi i Vitit
Prishtinë, 6 dhjetor - Ndërmarrja Fluidi nga Gjilani, është shpallur Top Eksportuesi i Vitit, nga Ministria e Tregtisë e Industrisë (MTI). Kur ka kualitet, nuk ka problem në eksport, ka deklaruar drejtori i kompanisë Fluidi Fejzullah Mustafa.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për të dytën herë me radhë në kuadër të projektit Ditët e Biznesit të Vogël 2012 ndau mirënjohje për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (NVM) më konkurrente të vitit, Top eksportuesin e vitit dhe "Top Idetë e bizneseve.
Eksportuesi më i madh nga prodhuesit në Kosovë, u shpall ndërmarrja për prodhimin e lëngjeve Fluidi. Drejtori i kompanisë Fejzullah Mustafa, ka theksuar se kur ka kualitet, nuk është problem që prodhimet e vendit të eksportohen.
Nuk mund të kalojë një produkt i cili nuk ka cilësi apo kualitet. Pa marrë parasysh reklamat, të cilat nuk janë shumë të konsiderueshme në bashkësinë evropiane, por është cilësia çka e mban tregun edhe ndihmon që të futet në treg. Konsumatori po e provojë njëherë, e din shijen e din kualitetin, ka pohuar.
Mustafa, u shpreh i kënaqur me cmimin, duke theksuar se kishin filluar dikur punën me pak investime për të arritur sot të jenë eksportuesi më i madh në vend. Fluidi prodhon brendet e njohura RC Cola, pijen energjike Red Rain, pijet jo të gazuara Jaffa si dhe mbush Coca Cola-n.
Kurse Ministrja e Tregtisë e Industrisë Mimoza Kusari Lila, ka deklaruar se qëllimi I projektit për shpalljen e më të mirëve, është stimulimi i prodhuesve.
Qëllimet kryesore të këtij projekti janë dhënia e mirënjohjeve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë kontribuar dhe kontribuojnë më shumë në mirëqenien e qytetarëve, përmes punësimit, përmes teknologjisë e inovacionit dhe përmes përgjegjësisë të cilën ata e kanë ndaj shoqërisë, ka theksuar ajo.
Veç Top Eksportuesit të vitit, u zgjodh edhe Ndërmarrja më konkurrente, e që ky epitet i takoi ndërmarrjes Abi-Prizren, si dhe u shpallën Top Idetë e bizneseve për të rinjtë nga mosha 18-24 vjec.
Përkrahësi kryesor i këtij projekti është Zyra e BE-së në Kosovë. Kjo ditë ka konsistuar edhe në përmbylljen e projektit Përkrahja e NVM-eve nga BE.
Christof Stock, shef i Operacionit të Zyrës së BE-së në Kosovë tha Përmes këtij projekti synimi ynë ka qenë ofrimi i shërbimeve kualitative të sektorit privat në Kosovë. Kjo përfshinë: fasilitimin e strategjisë së NVM-ve dhe përkrahjen e reformave për të bërit biznes, theksoi Stock.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, në pjesën e dytë të conferences, u mbajt një debat nga ekspertë ndërkombëtarë me temë: Forcimi i sektorit privat në Kosovë komponentë jetike.
Aleks Aleksishvili, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave në Gjeorgji foli për rastin e të bërit biznes në Gjeorgji, ku tregoi se eliminimi i qindra licencave ka qenë rruga e heqjes së pengesave për të bërë biznes.
Përveç kësaj, në debat, u diskutua për ngritjen e konkurrueshmërisë në sektorin privat, investimet në përmirësimin e sistemit të arsimit, e cila do të ndikonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, për qëndrueshmërinë e sistemit fiskal, dhe për zbatimin e vendimeve të gjykatave.
Projekti Ditët e Biznesit të Vogël ka filluar më 27 qershor 2012, ku janë mbajtur një mori aktivitetesh deri më sot.
Qëllimi kryesor është ngritja e dialogut publiko-privat, promovimi i ndërmarrësisë në Kosovë dhe njohja e kontributit të NVM-ve të Kosovës për ngritjen e konkurrueshmërisë së Kosovë.