Zuckerberg premton mbrojtjen e myslimanëve në Facebook
New York, 10 dhjetor - Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, e ka publikuar mbrëmë një mesazh për myslimanët duke premtuar se do ti mbrojë ata nga hakmarrja në këtë rrjet më të madh social në botë.
Duke i përmendur sulmet aktuale të militantëve islamikë në Paris dhe Kaliforni dhe propozimin nga kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, për parandalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Zuckerberg tha se myslimanët mund të frikësohen se persekutohen për aksionet e të tjerëve.
Dëshiroj që ta dini se ju jeni gjithmonë të mirëseardhur këtu dhe se ne do të luftojmë për ti mbrojtur të drejtat e juaja dhe të krijojmë ambient paqësor dhe të sigurt për ju, ka thënë Zuckerberg.
Mëtutje, ai ka theksuar se mua si hebre, prindërit e mi më mësonin se ne duhet të qëndrojmë kundër sulmeve ndaj të gjitha komuniteteve, bile edhe nëse ndonjë sulm nuk është kundër juve sot, pasi me kohë, sulmet kundër lirisë së çdokujt do ta dëmtojnë secilin.