ZTE hap laboratorin e parë të sigurisë kibernetike në Evropë
Romë, 23 maj - Firma teknologjike kineze ZTE ka hapur laboratorin e vet të parë të sigurisë kibernetike në Romë.
Kompania thotë se laboratori synon t'u ofrojë konsumatorëve dhe rregullatorëve në mbarë botën shërbimet e vlerësimit të sigurisë dhe të auditimit, duke përfshirë shqyrtimin e burimit të kodit të produkteve të ZTE-së e të dokumentit procedural, si edhe auditimin e projektit të sigurisë.
Laboratori do të shërbejë edhe si një platformë e bashkëpunimit dhe e kërkimeve, duke e lejuar këtë sektor të kryejë studime të thella në fushën e sigurisë.
ZTE-ja është një nga furnizueset kryesore ndërkombëtare të pajisjeve të telekomunikacionit për klientë të tillë si operatorët e telefonisë së lëvizshme, duke konkurruar me kompani si "Huawei", "Ericsson" dhe "Nokia".